Dyshime për rrjet më të gjerë kriminal? Eksperti i sigurisë flet rreth arrestimit të Fehim Salit
Të enjten në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, është arrestuar Fehim Sali, ky nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se arrestimi është kryer me urdhër të saj nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
I arrestuari është Fehim Sali nga Dragashi, ndërsa arrestimi është realizuar në kuadër të një operacioni të përbashkët të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Sipas raportimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka pasur kontakte të vazhdueshme me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA).
Sali raportohet se punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit. Më herët, ai ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Po ashtu, sipas raportimeve, ai dyshohet se është marrë me ndërmjetësimin për çështje që lidhen me prona dhe dokumente serbe, si dhe me grumbullimin e votave për mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndërsa, të premten Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehim Sali, i cili dyshohet për spiunazh.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj të pandehurit F.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila llogaritet nga data e arrestimit të tij, 13 gusht 2026 dhe zgjat deri më 13 shtator 2026”, njoftoi gjykata.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka folur për “Bota sot” rreth arrestimit të tij, duke thënë se këta persona janë të rrezikshëm dhe cilësohet të tillë.
Sipas tij, spiunazhi është vepër penale e rëndë, komplekse dhe nevojitet hetim i detajuar.
“Është vazhdë e sukseseve të institucioneve tona të sigurisë, kundrejt kësaj veprimtarie të rrezikshme, shumë të dëmshme sepse cenohet siguria jonë kombëtare. Këta persona janë të rrezikshëm dhe cilësohen si të tillë por duke pasur parasysh që kemi institucione të kompletuara, shkolluara, profesionale dhe kompetente atëherë vendi i këtyre njerëzve dashakeqës është vetëm burgu. Spiunazhi është vepër penale e rëndë, komplekse dhe nevojitet hetim i detajuar, kushdo që hyn në domenin e sigurisë kombëtare, tenton ta dëmtoj atë i pret fati sikurse i shumë rasteve të mëparshme sepse janë arrestuar 6 persona edhe më përpara”, deklaron Dashevci.
ImageEksperti i sigurisë, Arben DashevciFoto galeri
Dashevci përgëzon institucionet e sigurisë, duke shtuar se edhe nga ky rast mund të ketë implikime më të gjera për sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Institucionet tona të sigurisë po bëjnë një punë të shkëlqyeshme dhe me këtë punë të pandalshme direkt e mbrojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Gjykata ka përmendur rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë e prova, si dhe mundësinë e përsëritjes apo vazhdimit të veprës penale. Kjo tregon shkallën e rrezikshmërisë tregon për natyrën e hetimeve që po zhvillohen, sepse është komplekse, sensitive si vepër e rëndë penale. Dhe ky rast mund të ketë edhe implikime më të gjera për sigurinë kombëtare të Kosovës”, thekson eksperti i sigurisë.
Në fund, sipas Dashevcit, rasti është i rëndësishëm edhe në aspekt të kundërzbulimit dhe mbrojtjes,
“Ky rast mendoj unë është shumë i rëndësishëm në aspektin e kundërzbulimit dhe mbrojtjes së institucioneve tona nga personat e tillë që punojnë në dhe për shërbimet dashakeqe kundrejt vendit tonë, me veprimtarinë e tyre e dëmtojnë, cenojnë, rrezikojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë”, përfundon Dashevci.
