Si ta bindni partnerin të shkojë te mjeku kur vazhdimisht e shtyn kontrollin?
“Jam mirë”, “Nuk më dhemb asgjë”, “Nuk kam kohë”. Pas këtyre përgjigjeve mund të fshihen frika, sikleti ose bindja se kontrolli është i panevojshëm. Si ta ndryshoni këtë qëndrim pa krijuar tension?
Të bindësh partnerin të kujdeset për shëndetin nuk është gjithmonë e lehtë. Për disa burra, vizita te mjeku është diçka që mund të presë, sidomos kur nuk kanë shqetësime të dukshme.
Arsyet janë të ndryshme: frika nga një diagnozë e mundshme, përvojat e pakëndshme me ekzaminimet ose thjesht vështirësia për të gjetur kohë.
Megjithatë, kontrollet parandaluese mundësojnë vlerësimin e rreziqeve dhe zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore. Mënyra se si i qaseni kësaj teme mund të ndikojë në gatishmërinë e partnerit për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Sëmundjet që mund të zhvillohen pa simptoma
Kanceri i prostatës është një nga problemet më të rëndësishme të shëndetit mashkullor. Rreziku rritet me moshën, veçanërisht pas të 50-ave, ndërsa historia familjare ka rëndësi të veçantë.
Në fazat e hershme, sëmundja shpesh nuk shkakton simptoma. Kur shfaqen, ato mund të përfshijnë urinim të shpeshtë ose të vështirësuar, rrjedhë të dobët të urinës apo gjak në urinë.
Kanceri i testikujve, ndërkaq, prek më shpesh burrat e rinj. Një gungë, ënjtje, ndryshim i madhësisë së testikut ose ndjesi rëndese në skrotum kërkojnë vlerësim mjekësor.
Edhe shëndeti mendor kërkon vëmendje. Trishtimi i zgjatur, nervozizmi, izolimi, problemet me gjumin dhe konsumimi i shtuar i alkoolit mund të tregojnë nevojën për ndihmë profesionale, transmeton Telegrafi.
Por si mund ta nxisni partnerin të kujdeset për shëndetin pa krijuar tension?
1. Kuptoni pse e shmang mjekun
Para se t'i renditni arsyet pse duhet të kontrollohet, përpiquni të kuptoni çfarë e pengon.
A ka frikë nga rezultatet? Ndihet në siklet gjatë ekzaminimeve? Apo ka pasur përvoja të pakëndshme më parë?
Në vend të pyetjes “Pse nuk shkon kurrë te mjeku?”, provoni: “A ka diçka që të shqetëson lidhur me kontrollin?”
Kjo qasje krijon më shumë hapësirë për një përgjigje të sinqertë.
2. Mos prisni derisa të shfaqen simptomat
Një keqkuptim i zakonshëm është se mjeku nevojitet vetëm kur diçka dhemb.
Megjithatë, disa sëmundje mund të zhvillohen pa simptoma të dukshme.
Shpjegojini se kontrolli parandalues nuk nënkupton domosdoshmërisht se diçka nuk është në rregull.
Mund t'i thoni: “Nuk ke pse të presësh derisa të të dhembë diçka për ta kontrolluar shëndetin”.
Kontrollet dhe analizat, përfshirë PSA-në, duhet të përcaktohen individualisht, në konsultim me mjekun.
3. Propozoni një hap konkret
“Duhet të shkosh një ditë te mjeku” është një fjali që mund të shtyhet pafundësisht.
Më mirë propozoni të caktojë një konsultë me mjekun familjar.
Nëse nuk e di cilat kontrolle i nevojiten, mjeku mund ta udhëzojë.
Mund t'i ofroni ndihmë për gjetjen e terminit, por vendimi duhet të mbetet i tij.
Foto: YuriArcursPeopleimages
4. Mos e ktheni kontrollin në dëshmi dashurie
Fjali si “Po të të interesonte për mua, do të shkoje te mjeku” shpesh krijojnë kundërshtim.
Në vend që ta lidhni kontrollin me dashurinë ose përgjegjësinë ndaj jush, shprehni shqetësimin drejtpërdrejt.
“E di që nuk ke dëshirë të merresh me këtë, por shëndeti yt është i rëndësishëm. Nuk dua të presësh derisa të shfaqet ndonjë problem”.
5. Flisni edhe për temat e sikletshme
Për disa burra, pengesa kryesore është sikleti gjatë ekzaminimeve.
Kontrolli i prostatës, problemet me ereksionin ose ndryshimet në testikuj mund të jenë tema për të cilat nuk flasin lehtë.
Shpjegojini se këto janë çështje të zakonshme mjekësore dhe nuk ka arsye për turp.
Komunikimi i hapur me mjekun mundëson vlerësimin dhe trajtimin e duhur.
6. Mos e lini pas dore shëndetin mendor
Nëse partneri është bërë më i tërhequr, nervoz ose ka humbur interesimin për aktivitetet që dikur i pëlqenin, përpiquni të bisedoni edhe për gjendjen emocionale.
Në vend të pyetjes “Çfarë ke që sillesh kështu?”, mund t'i thoni:
“Kam vënë re se kohët e fundit je nën shumë presion. A dëshiron të flasim?”
Mbështetja juaj është e rëndësishme, por ndonjëherë nevojitet edhe ndihmë profesionale.
7. Bëjeni kujdesin për shëndetin pjesë të planeve të përbashkëta
Nëse partneri i sheh kontrollet si detyrim që i imponohet vetëm atij, provoni një qasje tjetër.
Bisedoni se kur i keni bërë të dy kontrollet e fundit dhe cilat ekzaminime ju nevojiten.
Mund të propozoni që secili të caktojë kontrollet gjatë së njëjtës periudhë.
Kështu, kujdesi për shëndetin bëhet pjesë e jetës së përbashkët, jo një detyrim që njëri ia imponon tjetrit.
Në fund, mund ta informoni, mbështetni dhe inkurajoni partnerin, por vendimi për t'u kujdesur për shëndetin duhet të vijë prej tij. /Telegrafi/
