Gërvalla pas takimit me Schubel: Reformën në drejtësi do ta vazhdojmë me vendosmëri, me çdo kusht e pa kompromis
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim kortezie me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës, Dirk Schubel, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin me BE-në në fushën e sundimit të ligjit dhe prioritetet në reformën në drejtësi.
Gërvalla ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për disa procese të rëndësishme që lidhen me forcimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë themelimin dhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas saj, në agjendën e institucioneve janë edhe jetësimi i procesit të Vetingut, pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, finalizimi i legjislacionit civil, si dhe avancimi i reformave që lidhen me Planin e Rritjes.
Ministrja Gërvalla ka theksuar rëndësinë e sigurimit të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet, si dhe forcimit të përgjegjshmërisë institucionale në trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Postim i plotë:
Në takimin e kortezisë me Shefin e Zyrës së BE-së në Republikën e Kosovës, z. Dirk Schubel, folëm për bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e sundimit të ligjit dhe prioritetet në reformën në drejtësi.
Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, rëndësia e jetësimit të procesit të Vetingut, pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, finalizimi i legjislacionit civil dhe avancimi i reformave që lidhen me Planin e Rritjes janë pjesë e agjendës sonë për forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.
Në këtë kuadër, e rëndësishme mbetet edhe sigurimi i qasjes së barabartë në drejtësi për të gjitha komunitetet, si dhe forcimi i përgjegjshmërisë institucionale në trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe pikërisht, Strategjia e re Kombëtare do të përcaktojë guximshëm hapat e mëtejshëm dhe planifikimin institucional për një reagim më të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv.
Krimet e luftës dhe drejtësia për viktimat mbeten detyrë e pashmangshme e institucioneve të Republikës së Kosovës. Për Kosovën, drejtësia për krimet e luftës është detyrim ndaj viktimave, ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që vijnë.
Reformën në drejtësi do t’a vazhdojmë me vendosmëri; me çdo kusht e pa kompromis. Sepse sundimi i ligjit nuk është vetëm themel i shtetit demokratik, por garancia e një Republike ku ligji është i barabartë dhe askush nuk qëndron mbi të.
