Mos sulmoni Perëndimin për fajin dhe interesat tuaja për pushtet!
Ursula von der Leyen zhvilloi dje një vizitë në Kosovë. Ajo takoi ushtruesen e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, si dhe kryeministrin, Albin Kurti. Presidentja e Komisionit Europian në konferencën e shtypit së bashku me kryeministrin e Kosovës sqaroi disa aspekte të vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite heqje lirie. Edhe njëherë von der Leyen sqaroi se ai gjykim nuk drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kërkoi gjithashtu që ligji i propozuar për gjykatën të ruajë pavarësinë e gjyqësorit etj.
Ishte lajm i mirë fakti se shefja e ekzekutivit të BE-së nuk ishte kundër hartimit dhe mirsatimit të një ligji të ri për Gjykatën Speciale në Hagë. Sepse mundej që ajo ta kushtëzonte rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Europian me kërkesën që një ligj i tillë të mos kalonte në parlamentin e Kosovës. Kjo sepse Gjykata Speciale në Hagë është sa e Kosovës edhe e vendeve sponsorizuese të saj nga vendet e këtij bashkimi. Por cila është qasja e Kosovës në këtë rast?
Një grup protestuesish kundër Gjykatës Speciale i zunë rrugën eskortës së zonjës Ursula von der Leyen në Prishtinë. Ishte një akt që nuk na nderon. Ndërkaq eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë kryetarin e saj, Bedri Hamza dhe nënkryetaren, Vlora Çitaku, kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të ambasadorit britanik dhe ndonjë ambasadori tjetër në Prishtinë, madje duke vënë në anologji raste të tjera në qëndrimet britanike. Gjuha me të cilën reaguan ata ishte deri diku fyese për Britaninë e Madhe e ndonjë rast tjetër. Kjo ka tërheq vëmendjen e opinionit publik, sepse qëndrimet e autoriteteve të kësaj partie kanë qenë përulëse ndaj faktorit perendimor, kur aleatët kanë kërkuar ose janë pajtuar për zhvillimet në Kosovë, bisedimet me Serbinë ose modelet e zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi.
Krerët e PDK-së kanë kundërshtuar çdo veprim politik të kryeministrit Kurti, veprime të cilat ata i kanë konsideruar si anti-amerikane ose anti-perendimore. Kanë përmendur me mijëra herë akuza të pafund për ato që u quajtën sanksione të Bashkimit Europian kundër Kosovës, duke iu kundërvu aktit të promovimit të kryetarëve të katër komunave të veriut të Kosovës në qershor 2023. Eksponetët e PDK-së, AAK-së dhe ndonjë edhe nga Lidhja Demokratike nuk kanë nguruar që veprimet e zotit Kurti për të vendos sovranitet të plotë në veri të Kosovës t’i krahasonin me veprimet e Milosheviçit në kohën e sundimit të tij në Kosovë. Dhe gjithçka u motivua asokohe me narrativën, se “Albini po na prish me Amerikën dhe Europën”!
Tani pikërisht këta që sulmuan me gurë dhe me gjithçka mundën Albin Kurtin po sillen shumë herë më keq sesa Kurti. Ndërkohë që këta po sillen për fatin e një ose disa personave dhe Kurti vendosi veton në funksion të Republikës. T’i zësh rrugën në oborrin tënd personit kryesor të Bashkimit Europian, në rastin konkret Ursula von der Leyen, është përtej shfaqjes së një armiqësie kundër Europës. Eshtë sjellje në kundërshtim me traditën e shqiptarëve. Sepse gjykata dhe kreu i ekzekutivit të BE-së nuk kanë asgjë të bëjnë me njëri-tjetrin. Gjykata është krijuar nga parlamenti i Kosovës nën mbikëqyerjen e vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Ky është ligji i Kosovës për këtë gjykatë. Dhe të protestosh kundër von der Leyen, për diçka që ti vetë e ke pranuar dhe votuar, madje duke bërë thirrje se “Kush nuk voton ligjin për dhomat e specializuara, ai nuk ia do të mirën Kosovës”, është më shumë se sjellje diletantiste.
Gjuha e ashpër po shkon në adresën e gabuar. Ajo po shkon kundër partnerëve perendimorë, si dhe kundër atyre që nuk e kanë pranuar këtë gjykatë dhe kanë votuar kundër në parlamentin e Kosovës. Kjo adresë e gabuar nuk do t’i kushtojë vetëm Partisë Demokratike, por edhe Kosovës. Europa, Amerika dhe bota mbajnë shënim çdo veprim të nxituar të Kosovës dhe shënojnë pikët minus në regjistrin e tyre. Këto pikë minus dëmtojnë më së pari interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
Askush nuk do të donte që katër ish-komandantët e UÇK-së në Hagë të dënoheshin. Por është zgjuarsi që nga kjo që ndodhi të nxjerrim mësime dhe të kërkojmë përfitime për vendin. Para së gjithash të marrë fund kriza institucionale, gjë që kërkon konsensusin e opozitës. Llogaritë për pushtet janë llogari të gabuara. Përpjekjet për të përpjestuar kohën presidenciale janë gjithashtu përpjekje kundër shtetit. Shpikja e modeleve të tilla e bën shtetin e Kosovës qesharak në sytë e botës. Ndërkohë që dikush dëshiron që edhe për pak muaj të ulet në poltronin e presidentit dhe nuk llogarit se sa e turpshme do të ishte kjo për vendin e vet. Turpi nuk paska kufi! Por së paku ndaloni e mos sulmoni perendimin për fajet tuaja e interesat për pushtet. Me perendimin mund të mos pajtohesh kur cënohen interesat e Kosovës, por jo interesat e një grupimi politikanësh!
