TË FUNDIT

Takimet e liderëve të Ballkanit në Asamblenë e 81-të të OKB-së: Kush doli më i suksesshëm?

Albin Kurti mund të quhet me të drejtë lideri më i suksesshëm “jashtë dyerve të OKB-së”, ndërsa Edi Rama shfaqet si më i pasuksesshmi në këtë krahasim. Gjatë javës së kaluar, Asambleja e 81-të e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara solli në Nju Jork 193 liderë të pothuajse të gjitha vendeve të botës.

Siç ndodh tradicionalisht, Pallati i Qelqtë dhe ambientet përreth u shndërruan në skenë intensive takimesh dypalëshe dhe forumesh, ku liderët e Ballkanit Perëndimor nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova shfrytëzuan këtë rast për kontakte të nivelit të lartë.

Sipas të dhënave të publikuara nga shtypi amerikan online për aktivitetin diplomatik, çdo takim ndryshonte ndjeshëm nga njëri lider te tjetri.

Aleksandar Vuçiç (Serbi) shënoi listën më të gjerë. Ai u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Ursula von der Leyen, Kaja Kallas, përfaqësues të SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë, si dhe me Sergey Lavrov (Rusi) dhe Han Zheng (Kinë).

Përfshirja e aktorëve nga Perëndimi, Lindja dhe Afrika e bën aktivitetin e tij më të gjerë dhe më të larmishëm.

ImageNë foto: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.Foto galeri
Jakov Milatoviç (Mali i Zi) pati gjithashtu një axhendë të dendur me Guterres, disa presidentë evropianë (Çekia, Polonia, Lituania, Estonia, Qipro, Spanja), liderë të BE-së dhe ishte i vetmi deri tani në pjesëmarrje në pritjen e Donald Trump.

Niveli i takimeve të presidentit të Malit të Zi, Milatoviç, ishte i lartë dhe i fokusuar kryesisht në Evropë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, zhvilloi takime të rëndësishme jashtë dyerve të organizatës.

Ai u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, drejtoreshën e FMN-së, Kristalina Georgieva, ambasadoren britanike Karen Pierce, kongresmenë amerikanë, emirin e Kuvajtit dhe mori pjesë në takimin e Ballkanit Perëndimor me Kaja Kallas.

Për një shtet joanëtar, kjo listë është e konsiderueshme dhe e fokusuar në institucione financiare ndërkombëtare dhe aleatë perëndimorë, dhe mund të merret si më e suksesshmja.

Hristijan Mickoski (Maqedonia e Veriut) u përqendrua më shumë në takime rajonale (Kurti, Vuçiç, Plenkoviç) dhe disa kontakte me Guterres, përfaqësues të SHBA-së dhe takimin e Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama (Shqipëri) rezulton me aktivitetin më të kufizuar në dokumentim. Publikohen pjesëmarrje në forume (European Corporate Council dhe gala e Albanian-American Relations Council) dhe disa takime me figura shqiptare nga rajoni.

Qeveria shqiptare pohon se zhvilloi “një sërë takimesh”, por nuk ka publikuar listë të detajuar me emra liderësh ndërkombëtarë, siç kanë bërë të tjerët, dhe shtypi amerikan nuk ka takime të dokumentuara zyrtarisht.

Pra, nëse i vlerësojmë sipas numrit, nivelit dhe diversitetit të takimeve, Aleksandar Vuçiç del më i suksesshmi. Ai mbuloi spektrin më të gjerë gjeopolitik.

Jakov Milatoviç renditet i dyti për densitetin e takimeve evropiane.

Albin Kurti mund të quhet me të drejtë më i suksesshmi “jashtë dyerve të OKB-së”, gjithmonë duke pasur parasysh statusin e Kosovës. Takimet me FMN-në, Bankën Botërore, Turqinë, Britaninë dhe përfaqësues amerikanë përbëjnë një rezultat të rëndësishëm diplomatik.

Kurse Hristijan Mickoski mbetet në nivel mesatar rajonal, ndërsa Edi Rama shfaqet si më i pasuksesshmi në këtë krahasim, për shkak të mungesës së publikimeve të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë me liderë ndërkombëtarë.

Asambleja e OKB-së mbetet platformë e rëndësishme, por suksesi matet me rezultatet konkrete që dalin nga këto kontakte, shkruan Bloomberg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *