Dy raste të njëjta, standarde të ndryshme – Komuna e Prizrenit rrënon shtëpinë e një qytetari, por nuk guxon ta prekë rezidencën luksoze të familjes së prokurorit special Admir Shala?
Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prizrenit ka nisur sot zbatimin e një vendimi për rrënimin e një objekti banimi në rrugën “Hasan Prishtina”, me asistencën e Policisë së Kosovës.
Sipas burimeve të KosovaNews , toka në të cilën ndodhet shtëpia është në pronësi të Komunës së Prizrenit, ndërsa pronari i saj e kishte në shfrytëzim që nga periudha para luftës.
Duke qenë se shtëpia ishte amortizuar në masë të madhe, pronari kishte marrë leje për renovim, ndërsa punimet, sipas burimeve tona, ishin mbikëqyrur në vazhdimësi nga inspektorët e Komunës.
Por, pasi kishte përfunduar renovimi i shtëpisë, Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit kishte nxjerrë vendim për rrënim, me arsyetimin se pronari kishte tejkaluar lejen që kishte për renovim, duke rrëzuar edhe mure të brendshme të cilat nuk ishin paraparë në lejen për renovim.
Por, ky aksion i sotëm ngre një pyetje që Komuna e Prizrenit duhet ta sqarojë:
A është zbatuar ligji në mënyrë të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve kur bëhet fjalë për ndërtime në tokë komunale dhe për objekte që janë ngritur në bazë të një lejeje për renovim?
Kjo pyetje nuk lind vetëm nga aksioni i sotëm.
Ajo rikthehet në vëmendje për shkak të një hulumtimi të publikuar nga KosovaNews në qershor të vitit 2025, lidhur me shtëpinë e familjes së ish-kryeprokurorit të Prizrenit dhe aktualisht prokurorit special, Admir Shala .
Sipas dokumenteve të siguruara dhe të publikuara atëherë nga KosovaNews , objekti i familjes Shala ndodhet në lagjen “Lakuriq”, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në Prizren.
Në fletën poseduese të siguruar nga redaksia, objekti figuron me sipërfaqe prej 56 metrash katrorë , ndërsa parcela prej rreth 2.6 hektarësh figuron si pronë e Komunës së Prizrenit.
Sipas hulumtimit, familja Shala kishte në posedim objektin, por jo tokën mbi të cilën ai ndodhej.
Në vitin 2020, familja kishte marrë leje për renovim .
Por, KosovaNews kishte publikuar fotografi nga koha e punimeve, të cilat, sipas redaksisë, tregonin se objekti ekzistues ishte rrënuar dhe në vend të tij ishte ndërtuar një objekt i ri, shumë më i madh – një rezidencë dykatëshe me qindra metra katrorë.
Pra, çështja kryesore e ngritur në atë hulumtim ishte:
A ishte bërë renovim i objektit ekzistues, apo ishte rrënuar objekti dhe ishte ndërtuar një shtëpi e re?
Në përgjigjen e tij për KosovaNews , Admir Shala kishte mohuar pretendimet për shkelje dhe kishte deklaruar se kishte ekzistuar leje për renovim dhe se nuk kishte pasur tejkalim të kushteve ndërtimore.
Sipas përgjigjes së tij, ndryshimi i sipërfaqes kishte ardhur pasi babai i tij kishte blerë edhe dy shtëpitë që ndodheshin pranë objektit.
Megjithatë, hulumtimi i KosovaNews kishte publikuar edhe fotografi të punimeve të vitit 2020, të cilat redaksia i kishte përdorur për të argumentuar se objekti i vjetër ishte rrënuar dhe ishte ndërtuar një objekt i ri.
Rasti i sotëm e rikthen në vëmendje hulumtimin e publikuar një vit më parë nga KosovaNews dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Komuna e Prizrenit i ka trajtuar raste të ngjashme.
Në njërin rast, Komuna po zbaton vendim për rrënimin e një objekti për shkak të tejkalimit të lejes për renovim.
Në rastin tjetër, sipas hulumtimit të KosovaNews , një objekt që kishte pasur leje për renovim ishte rrënuar dhe në vend të tij ishte ndërtuar një objekt shumë më i madh, ndërsa deri më tani nuk është bërë publik ndonjë vendim për rrënimin e tij.
Sipas burimeve të KosovaNews tashmë janë me dhjetëra raste të ngjashme ku komuna e Prizrenit ka ndërmarr masa duke ua rrënuar shtëpitë pronarëve të cilët kishin marrë leje për renovim dhe i kishin tejkaluar ato.
KosovaNews do t’i drejtojë pyetje Komunës së Prizrenit për të sqaruar se çfarë dallimi juridik ekziston mes këtyre rasteve dhe pse njëri objekt është urdhëruar të rrënohet, ndërsa për objektin e familjes së prokurorit special, Admir Shala, nuk është ndërmarrë një masë e njëjtë.
