Konjufca kërkon përfshirje të plotë të Kosovës në Korridorin VIII
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Korridorin e 8-të, që u organizua në Bullgari.
Në këtë takim, Konjufca theksoi se lidhja rajonale nuk është vetëm një imperativ ekonomik, por gjithashtu një shtyllë strategjike e sigurisë.
“Nënvizova rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë rrjet. Investimet tona në Linjën Hekurudhore 10 dhe hekurudhën e planifikuar Prishtina-Durrës do të forcojnë lidhjen rajonale, do të diversifikojnë rrugët e transportit dhe do të përforcojnë arkitekturën euroatlantike të sigurisë së Ballkanit Perëndimor” shkroi Konjufca në “X”.
Në këtë konferencë, kryediplomati kosovar po ashtu ngriti shqetësime mbi pengimin e vazhdueshëm të shkëmbimeve të energjisë elektrike nga Serbia me Republikën e Kosovës, pavarësisht nga afati i caktuar nga komuniteti energjetik.
“Kjo minon sigurinë rajonale të energjisë dhe kërkon veprime të vendosura evropiane për të siguruar pajtueshmërinë me detyrimet ekzistuese” vlerëson Konjufca.
Sipas tij, Korridori VIII duhet të bëhet më shumë sesa një vijë në hartë.
“Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i ndërlidhur kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirje të plotë të Kosovës” përfundon ministri.
