Bushati i kundërpërgjigjet Ramës: Nuk ka ndërhyrje iraniane në protesta, Shqipëria është e vendosur në krah të SHBA-së, lëvizja popullore do të formësojë fatin e kombit
Protestat masive që synojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, nga pushteti kanë tërhequr vëmendjen e së përditshmes prestigjioze amerikane, The Atlantic.
Sipas raportimit, vala e demonstratave në Shqipëri shpërtheu në fund të muajit maj, pasi u bë publik një filmim ku rojet private të sigurisë godisnin me grushta dhe tërhiqnin zvarrë një qytetar përgjatë bregut në Zvërnec, aty ku parashikohet të ngrihet një pjesë e kompleksit të lidhur me familjen Trump.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e përshkroi atë moment si një ndarje të ujërave.
“Ajo që nisi si një përplasje për të drejtën e hyrjes në det dhe në natyrë, brenda pak ditësh u shndërrua në një revoltë mbi atë se kush e ka autoritetin të vendosë për të ardhmen e vendit”, deklaroi ai.
Në kryeqytetin Tiranë, mijëra qytetarë dolën në rrugë duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Shqipëria nuk shitet” dhe “Nuk e duam Shqipërinë si Dubai”.
Nga ana e tij, Rama u përgjigj me vendosmëri, duke theksuar se nuk ekziston asnjë mundësi që projekti të ndërpritet për aq kohë sa ai qëndron në detyrë.
Me zgjerimin e lëvizjes, ajo u kthye në një terren pjellor për spekulime të ethshme dhe narrativa konspirative. Disa demonstrues krijuan lidhje me mbështetjen e dhënë nga Kushner për një të ashtuquajtur “Riviera të Gazës”, duke shprehur shqetësimin se territori shqiptar mund të përdorej për të zhvendosur palestinezët.
Në hapësirën online, komentues e cilësuan zhvillimin si “një tjetër ishull Epstein”, duke aluduar për pronat e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein në Ishujt Virgjër.
Një tjetër pikë debati u bë plani i mbështetur nga qeveria për një koncert të Kanye West në periferi të Tiranës, që shtoi pakënaqësinë e përgjithshme.
Interesi për situatën erdhi nga e gjithë harta ideologjike. Senatori Bernie Sanders i përshëndeti protestat si një qëndresë kundër “oligarkisë globale”, ndërsa teoricieni i konspiracionit të krahut të djathtë, Alex Jones, u shpreh me entuziazëm për një “luftë civile” të pashmangshme.
Kryeministri Rama, ka hedhur poshtë natyrën autoktone të lëvizjes, duke pretenduar se ajo ishte rrëmbyer nga forca të jashtme. Ai ka fajësuar “armiqtë e Izraelit dhe Shqipërisë”, si dhe “urrejtësit e Trumpit”.
Shqipëria, ku rreth gjysma e popullsisë i përket besimit mysliman, ka një aleancë të fortë me Izraelin, të bazuar në mirënjohjen historike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, të udhëhequr nga kodi tradicional i nderit, besa, shqiptarët fshehën mijëra refugjatë hebrenj, duke e bërë vendin të vetmin në Europë që kishte më shumë banorë hebrenj pas Holokaustit sesa përpara tij. Në këtë shekull, Shqipëria u bë objektiv i regjimit iranian pasi ra dakord, me kërkesë të SHBA-së dhe OKB-së në vitin 2013, të strehonte anëtarët në mërgim të grupit disident Mujahedin-e-Khalq (MEK).
Në vitin 2022, autoritetet shqiptare dëbuan diplomatët iranianë pasi arritën në përfundimin se Teherani qëndronte pas një serie sulmesh kibernetike kundër infrastrukturës kritike dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë javëve të fundit, Rama ka akuzuar Iranin se po orkestron një “luftë hibride” duke shpërndarë dezinformata rreth projektit turistik dhe duke nxitur opozitën ndaj planeve të qeverisë së tij. Irani i ka mohuar kategorikisht këto akuza.
Ndërkohë, pjesëmarrësit në protesta janë të vendosur të dëshmojnë se kryengritja e tyre është e mirëfilltë dhe e lindur nga brenda.
Ish-ministri Bushati i ka cilësuar demonstratat si; “investimi më i mirë në imazhin tonë si popull dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”.
Ai raportoi se deri në 200,000 persona u mobilizuan gjatë fundjavës së 4 korrikut dhe hodhi poshtë pretendimet për një komplot të huaj. “Irani nuk ka asnjë lloj ndikimi në Shqipëri”, theksoi ai. “Ky është një vend që qëndron i lumtur në orbitën e Shteteve të Bashkuara.”
Megjithatë, për të destabilizuar planet e resortit nuk duket se nevojitet ndonjë influencë iraniane. Pronësia e tokës ku parashikohet një pjesë e projektit është objekt konflikti. Ishulli i Sazanit është në pronësi të shtetit, çka nënkupton se një kontratë qiraje do të ishte përfundimisht e nevojshme; për momentin, konsorciumi i lidhur me Trump mban statusin e “investitorit strategjik”, i cili lehtëson procesin e lejeve dhe të negociatave për një marrëveshje afatgjatë. Nga ana tjetër, toka bregdetare në Zvërnec është pronë private.
Subjektet e lidhura me çiftin Trump e blenë atë nga një sipërmarrës me seli në Miami, Artur Shehu, i cili këmbëngul se e drejta e familjes së tij mbi këtë truall e ka origjinën që nga periudha osmane. Banorët lokalë të Zvërnecit argumentojnë se ata janë pronarët e ligjshëm. Situata është e turbullt sepse toka u shtetëzua gjatë regjimit komunist dhe kur pronat iu rikthyen individëve në vitet ‘90, e drejta e pronësisë mbeti shpesh e kontestuar.
