TË FUNDIT

Armë kundër kujt? Ata që kërcënojnë ta kallin Kosovën duhet ta tregojnë armikun

Deklaratat e ditëve të fundit nuk mund të kalojnë më si shpërthime emocionale. Kur një deputet kërkon armatosjen e qytetarëve dhe figura të tjera paralajmërojnë se “kallet Kosova e krejt shqiptaria”, publiku ka të drejtë të dijë: kundër kujt synohen këto armë?

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi që Kuvendi, në rast të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të lejojë armatosjen e çdo qytetari. Para tij, Nasim Haradinaj kishte përdorur gjuhë edhe më të rëndë, duke paralajmëruar “kalljen” e Kosovës dhe të mbarë shqiptarisë.

Por vendimin e merr një trup gjykues në Hagë, jo Serbia, Qeveria e Kosovës apo qytetarët e saj. Atëherë, përse një aktgjykim gjyqësor duhet të pasohet me armatosjen e popullatës?

Nëse Lushtaku e ka fjalën për mbrojtjen nga Serbia, duhet të tregojë nëse posedon informacione për ndonjë kërcënim konkret. Kosova ka Policinë, Forcën e Sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Mbrojtja e vendit nuk organizohet me thirrje të paqarta për blerje armësh, pa komandë, pa përgjegjësi dhe jashtë institucioneve.

Hafir Hoxha e zbuloi pikërisht boshllëkun e kësaj deklarate, duke kërkuar të dijë se çfarë arme duhet të blihet, sa municion nevojitet, çfarë detyre do të ketë qytetari dhe kush do ta mobilizojë e komandojë atë. Pyetjet e tij e nxjerrin në pah atë që Lushtaku nuk e ka shpjeguar: kundër kujt kërkohet armatosja e qytetarëve dhe çfarë synohet të arrihet me të?

Pikërisht këtu qëndron problemi. Flitet për armë, por nuk emërtohet armiku. Flitet për mobilizim, por nuk tregohet komanda. Flitet për zjarr, por vendi që përmendet për t’u kallur është Kosova.

Nëse armët synohen kundër Serbisë, le ta thonë hapur. Por atëherë duhet të shpjegojnë edhe një kontradiktë tjetër politike.

Shumë prej atyre që sot përdorin këtë retorikë e trajtojnë Edi Ramën pothuajse si profet politik. Vetë Rama, duke iu përgjigjur me ironi kritikave për afërsinë e tij me presidentin serb, pati deklaruar: “Unë jam vëllai i Vuçiqit”.

A presin tani që Rama ta mbështesë një mobilizim shqiptar për të luftuar dhe për ta “kallur” Serbinë? Apo patriotizmi i tyre luftarak mbaron aty ku fillon miqësia politike e Ramës me Vuçiqin?

Në Kosovë nuk mund të flasin për luftë me Serbinë, ndërsa në Tiranë ta adhurojnë politikanin shqiptar që ka ndërtuar marrëdhënien më të afërt me presidentin serb.

Ndërkaq, nëse armët nuk synohen kundër Serbisë, atëherë kundër kujt synohen brenda Kosovës? Kundër institucioneve, Policisë apo qytetarëve që mendojnë ndryshe?

Kjo është arsyeja pse deklarata të tilla nuk mund të arsyetohen si metafora. Kur fjalët për armë vijnë nga një deputet dhe paralajmërimet për zjarr nga njerëz me të kaluar ushtarake, institucionet duhet të kërkojnë sqarime.

Kundërshtimi i Gjykatës Speciale është i lejueshëm. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike. Edhe kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së është legjitime. Por fati gjyqësor i asnjë individi nuk mund të vendoset mbi sigurinë dhe ekzistencën e shtetit.

Kosova nuk është pronë e asnjë partie, familjeje politike apo grupi të caktuar. UÇK-ja luftoi për ta çliruar Kosovën nga Serbia, jo për t’ia dhënë dikujt të drejtën që, dekada më vonë, ta kërcënojë Kosovën me armë dhe zjarr.

Ai që kërcënon ta kallë Kosovën nuk po e mbron atë. Ai po kërcënon pikërisht atë që pretendon se e do. / BS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *