TË FUNDIT

Ministri Jagxhiu në Kroaci, diskuton për transformimin digjital

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka nisur vizitën zyrtare në Republikën e Kroacisë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve kroate për transformimin digjital dhe modernizimin e administratës publike.

I shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Jagxhiu u mirëprit në Ministrinë e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital të Kroacisë, si dhe në APIS IT, kompani shtetërore dhe një nga ofruesit kryesorë të infrastrukturës dhe shërbimeve të përbashkëta digjitale për sektorin publik kroat.

Në takime u diskutua për interoperabilitetin dhe ndërlidhjen e regjistrave shtetërorë, portalin qendror të shërbimeve, parimin “vetëm një herë”, shërbimet e bazuara në ngjarje jetësore, identitetin elektronik dhe kuletën digjitale, si dhe infrastrukturën digjitale, përfshirë qendrat e të dhënave dhe cloud-in qeveritar.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike dhe zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e inteligjencës artificiale, identitetit elektronik dhe shërbimeve digjitale.

Me APIS IT u diskutua edhe modeli i organizimit të shërbimeve të përbashkëta dhe cloud-it qeveritar, çështje që lidhet drejtpërdrejt me iniciativën e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike për tranzicionin drejt cloud-it qeveritar dhe konsolidimin e infrastrukturës së përbashkët digjitale.

Gjatë takimeve është dakorduar vazhdimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës digjitale, avancimin e interoperabilitetit dhe regjistrave shtetërorë, si dhe në fushën e identitetit digjital.

Ministri Jagxhiu ka falënderuar institucionet kroate për pritjen dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *