35 serbë nën aktakuzë për Prekazin – Lushaj kërkon të zbardhet edhe zinxhiri komandues
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dhe dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit lidhen me ngjarjet e marsit të vitit 1998 në lagjen Jasharaj, në fshatin Prekaz i Poshtëm të komunës së Skenderajt, ku gjatë luftës në Kosovë dyshohet se janë kryer veprime të rënda kundër popullsisë civile
Procedura është zhvilluar në mungesë ndaj të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në strukturat serbe gjatë periudhës së përmendur.
Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj e ka vlerësuar si të rëndësishme juridikisht dhe historikisht aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë për dyshime për krime lufte në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm.
Lushaj për “Bota sot”, tha se hetimi duhet të përfshijë jo vetëm kryerësit e drejtpërdrejtë, por edhe zinxhirin komandues dhe personat që kanë urdhëruar apo lejuar kryerjen e krimeve.
Ai theksoi se aktakuza është një hap drejt drejtësisë, por kërkoi që procesi të jetë i pavarur, profesional dhe i bazuar në prova, ndërsa hetimi të shtrihet edhe në raste të tjera të krimeve të luftës në Kosovë.
“Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, për dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm, ka rëndësi të veçantë juridike dhe historike.
Nga aspekti juridik, kjo është një përpjekje për të mos lejuar që krimet e luftës të mbeten pa autorë dhe pa përgjegjësi. Fakti se bëhet fjalë edhe për persona me pozita komanduese dhe zyrtare është veçanërisht i rëndësishëm, sepse hetimi i krimeve të luftës nuk duhet të ndalet vetëm te ekzekutuesit e drejtpërdrejtë, por duhet të shqyrtojë edhe zinxhirin e komandimit dhe përgjegjësinë e atyre që kanë urdhëruar, organizuar, drejtuar apo lejuar kryerjen e krimeve, në përputhje me standardet e së drejtës penale ndërkombëtare.
Nga aspekti historik, Prekazi nuk është vetëm një vend i një ngjarjeje tragjike të luftës. Ai është një nga simbolet më të fuqishme të rezistencës dhe të tragjedisë së Kosovës. Prandaj, dokumentimi dhe trajtimi gjyqësor i asaj që ka ndodhur aty ka rëndësi jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe për kujtesën historike të Kosovës.
Kjo aktakuzë mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë, por drejtësia nuk përfundon me ngritjen e një aktakuze. Ajo duhet të pasohet me një proces të pavarur, profesional dhe të bazuar në prova, në mënyrë që përgjegjësia penale të përcaktohet nga gjykata.
Po aq e rëndësishme është që kjo qasje të mos mbetet vetëm te Prekazi. Kosova ka ende shumë raste të krimeve të luftës që kërkojnë hetim, dokumentim dhe trajtim institucional. Nëse synohet zbardhja e plotë e së kaluarës, duhet të punohet mbi të gjitha rastet, pavarësisht vendit ku kanë ndodhur” – u shpreh ai.
Lushaj ka kërkuar që, krahas Prekazit, institucionet e drejtësisë t’u kushtojnë vëmendje edhe krimeve të kryera në rajonin e Deçanit gjatë viteve 1998–1999.
“Në këtë kuadër, edhe krimet e kryera në rajonin e Deçanit gjatë viteve 1998–1999 duhet të marrin vëmendjen e duhur të institucioneve të drejtësisë. Dokumentimi i dëshmive, emrave të viktimave, vendndodhjeve, dëmeve dhe rrethanave të krimeve është një bazë e rëndësishme për çdo hetim të ardhshëm.
Pikërisht për këtë arsye, puna dokumentuese e bërë në librin “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” duhet të shihet edhe si një kontribut në ruajtjen e dëshmive dhe të kujtesës për krimet e kryera në këtë komunë. Dokumentet dhe dëshmitë historike nuk e zëvendësojnë drejtësinë, por mund të jenë pjesë e rëndësishme e procesit të dokumentimit dhe të ndërgjegjësimit institucional e shoqëror.
Pas Prekazit, pa vonesë duhet të trajtohen edhe rastet e Deçanit dhe të gjitha rastet e tjera të krimeve të luftës në Kosovë.
Sepse drejtësia e vonuar është e dhimbshme, ndërsa krimi i padokumentuar rrezikon të humbasë edhe dëshminë. Për viktimat dhe familjet e tyre, drejtësia nuk duhet të ketë afat skadimi”, përfundoi ai.
