Produkti nga Serbia rezulton me aflatoksinë, Muja merr vendim të menjëhershëm: Ndalohet importi
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të koncentratit për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, pasi në të është konfirmuar tejkalimi i nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1).
Sipas njoftimit, produkti jokonform është prodhuar nga kompania DE HEUS D.O.O. në Serbi dhe është importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K. në Rahovec.
AUV thotë se masat përfshijnë LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, deri në verifikimin përfundimtar të lidhjes së secilit prej tyre me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar.
Krahas tërheqjes së produktit, është urdhëruar izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes deri te operatorët dhe fermat ku mund të jetë përdorur.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që e posedojnë këtë koncentrat nga LOT-et e identifikuara, të mos e përdorin apo vendosin në qarkullim. Ata duhet ta mbajnë produktin të veçuar dhe të bashkëpunojnë me institucionin dhe operatorin përgjegjës gjatë procedurës së tërheqjes.
Njëkohësisht, për 30 ditë do të zbatohet një masë e përkohshme parandaluese ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara ose deklaruara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë apo të prodhuara në Serbi.
Gjatë kësaj periudhe, Agjencia do të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, bazuar në rezultatet laboratorike dhe kontrollet zyrtare, për të përcaktuar veprimet e mëtejshme.
Po ashtu, janë intensifikuar kontrollet për praninë e AFB1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqimin e kafshëve, me vëmendje të veçantë te koncentratet për lopë qumështore. Masat përfshijnë shtimin e kontrolleve, marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike.
Aflatoksina B1 është substancë toksike që mund të gjendet në misër dhe ushqime për kafshë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, aflatoksinat përbëjnë shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi.
“Kur lopët qumështore konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht. Për këtë arsye, kontrolli i saj në ushqimin për kafshë konsiderohet i rëndësishëm për parandalimin e depërtimit të aflatoksinave në zinxhirin ushqimor”, njofton AUV.
AUV ka paralajmëruar se do të vazhdojë me kontrollet kufitare dhe brenda vendit, analizat laboratorike dhe gjurmimin e produkteve, me qëllim ndërprerjen e rrezikut në burim dhe mbrojtjen e shëndetit të kafshëve e konsumatorëve.
