POLITIKATË FUNDIT

ADN-ja konfirmon identitetin e tre anëtarëve të Grupit të Intelektualëve, Kurti u shpreh ngushëllime familjeve të tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazlijën dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Sipas njoftimit të Kurtit, identifikimi është bërë mbi bazën e raporteve të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.

Ai bëri të ditur se Komisioni Qeveritar, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, tashmë ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë.

“Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

Kurti ka akuzuar Serbinë se vazhdon t’i mohojë dhe t’i fshehë këto krime, duke mbajtur të klasifikuara dokumentet dhe arkivat, si dhe duke glorifikuar autorët e gjenocidit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *