TË FUNDIT

Sulmoi një grua në tren dhe goditi me shkop një të ri, arrestohet gjermani në Zvicër

Një 27-vjeçar gjerman është arrestuar në Uzwil të kantonit St. Gallen, pasi dyshohet se ka sulmuar një grua në tren, ka kërcënuar pasagjerë të tjerë dhe më pas ka goditur disa herë me shkop një 21-vjeçar.

Ngjarja ndodhi të dielën në orët e para të mëngjesit. Pak para orës 04:00, policia pranoi një njoftim se një burrë po sulmonte një grua në një tren që udhëtonte nga Gossau drejt Uzwil, shkruan 20Minuten , transmeton Telegrafi.

Kur policia mbërriti në stacionin e Uzwilit, aty gjeti disa persona, përfshirë një grua 35-vjeçare. I dyshuari ishte larguar tashmë nga vendi.

Sipas hetimeve të para, 27-vjeçari dhe gruaja kishin qenë më herët së bashku në Gossau. Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht dhe verbalisht.

Gjatë udhëtimit me tren, disa pasagjerë u vunë re sjelljes së burrit ndaj gruas dhe ndërhynë.

Sipas policisë, 27-vjeçari më pas u bë agresiv edhe ndaj tyre, duke i ofenduar dhe kërcënuar.

Pasi zbritën në stacionin e Uzwilit, situata u përshkallëzua.

I dyshuari dyshohet se goditi disa herë me një shkop një 21-vjeçar, i cili kishte ndërhyrë më herët në tren. I riu pësoi lëndime të lehta.

Pas sulmit, 27-vjeçari u largua nga stacioni, por policia arriti ta lokalizonte dhe ta arrestonte pak më vonë.

Gjatë kontrollit, policia i gjeti shkopin e përdorur në sulm, si dhe një sasi të vogël të lëndëve narkotike.

I dyshuari iu nënshtrua gjithashtu një analize të gjakut dhe urinës. Hetimet për rastin po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së kantonit St. Gallen. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *