OPINIONTË FUNDIT

A janë shqiptarët në gjendje të bëjnë diçka të madhe pa ndihmën e SHBA-së?

Shqiptarët në Shqipëri, edhe pse pretendohet se Shqipëria është një sistem demokratik, akoma nuk bëjnë zgjedhje të pamanipuluara dhe të drejta; nuk kanë ndërtuar ende shtetin ligjor e demokratik, nuk kanë mposhtur korrupsionin dhe nuk janë në gjendje të largojnë nga pushteti qeverinë më të korruptuar në botë dhe më të papërgjegjshme para kombit. Po ashtu, edhe Kosova nuk është në gjendje të zgjedhë Presidentin e Republikës, por kalon nga një krizë në tjetrën me zgjedhje të parakohshme.

Dhe lind pyetja: a janë në gjendje shqiptarët të bëjnë vetë diçka të mirë e të madhe për veten e tyre, pa ndihmën e SHBA-ve?

SHBA-të, historikisht dhe gjithmonë, kanë qenë dhe janë përkrah dhe në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Edhe sot, përkushtimi i aleatit të madh të shqiptarëve në mbështetje të Shqipërisë ka ardhur në rritje për ta çuar vendin përpara drejt progresit, drejt drejtësisë, drejt mposhtjes dhe fitores kundër korrupsionit, drejt sigurisë së sovranitetit shtetëror dhe integrimit në BE, sepse SHBA-të e konsiderojnë Shqipërinë mik dhe aleat besnik të tyre, dhe prandaj duan një Shqipëri demokratike dhe të fortë.

Paramendojeni për një çast: sikur BE-ja të mos kishte aleancën dhe mbështetjen e SHBA-ve, kush do ta kishte penguar avancimin dhe kërcënimin rus në Europë? A do të mundej vetë Europa, pa SHBA-të, ta mbështeste Ukrainën kundër Rusisë? Kur këto janë të vërteta të mëdha, atëherë vjen logjikshëm edhe pyetja: pa ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-ve, a do të ishin Shqipëria dhe Kosova të sigurta nga provokimet, kërcënimet dhe rreziku i destabilizimit serb e rus? Pa ndihmën dhe mbështetjen më shumë se 100-vjeçare të SHBA-ve, e sotmja, e ardhmja dhe perspektiva shqiptare nuk do të kishin qenë këto që janë sot. Nuk do të kishim dy shtete shqiptare, pasi si Shqipëria, ashtu edhe Kosova i detyrohen ekzistencës së tyre shtetërore ndihmës dhe mbështetjes vendimtare të SHBA-ve.

Në vitin 1913, ambasadorët e shteteve më të fuqishme të Europës, duke kënaqur Rusinë (xhandarin ndërkombëtar të asaj kohe), mbështetën dhe realizuan synimet dhe pretendimet e fqinjëve shovinistë sllavë, grekë e ortodoksë; shkëputën nga trupi i Shqipërisë krahinën e Kosovës dhe troje të tjera shqiptare, duke ua falur Serbisë, Greqisë e Malit të Zi. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Europa shkoi edhe më tej dhe më rëndë kundër shqiptarëve: hartoi një traktat për copëtimin e të gjithë Shqipërisë, duke ua ndarë atë fqinjëve grekë, italianë, serbë e malazezë. Kështu, Shqipëria e copëtuar u ndodh në fund të luftës përballë rrezikut të shpërbërjes përfundimtare. Traktati i fshehtë i Londrës, ndërmjet Antantës dhe Italisë, më 26 prill 1915, parashikonte ndarjen e tokave shqiptare mes Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Ishte presidenti amerikan ai që nuk e lejoi këtë masakër kundër shqiptarëve dhe që garantoi ekzistencën e shtetit shqiptar; përndryshe, për Europën, Shqipëria do të ishte fshirë nga harta.

Po kështu, janë SHBA-të ato që, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk lejuan gllabërimin e Shqipërisë nga ish-Jugosllavia dhe, pavarësisht se Shqipëria socialisto-enveriste ishte ndër më antiamerikanet, përsëri SHBA-të ishin garant dhe mbronin vendin nga rreziku shovinist grek e sllav.

Janë po SHBA-të ato që e ndihmuan Shqipërinë në shembjen e komunizmit, në rrugën e demokratizimit dhe në anëtarësimin në NATO.

Janë po SHBA-të që e mbështesin sot Shqipërinë në integrimin në BE dhe në ndërtimin e shtetit modern e ligjor. Janë SHBA-të që mbështetën vetingun në drejtësi, këtë reformë jetike për shqiptarët, e cila e çliroi Shqipërinë nga korrupsioni dhe nga kërcënimi ndaj sovranitetit kombëtar. Reforma në drejtësi dhe SPAK-u po çlirojnë sistemin nga krimi dhe hajdutëria shtetërore, pasi këto nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë politika shqiptare; përkundrazi, ajo ka qenë dhe mbetet një nga problemet më të mëdha që shqetësojnë shqiptarët, si një politikë antipublike, e stërkorruptuar dhe e painteresuar për zhvillimin demokratik e shtetëror.

Po kështu, nuk do të kishim shtetin e Kosovës pa rolin historik dhe vendimtar të SHBA-ve, rol që vazhdon edhe sot si garanci sigurie për Kosovën. Janë SHBA-të ato prej të cilave Kosovës i erdhën njohjet më të mëdha ndërkombëtare. Janë po SHBA-të avokati dhe mbështetësi më i madh i Kosovës për integrimin në organizata ndërkombëtare. Janë po SHBA-të ato që garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e dy shteteve shqiptare, të cilat mbeten ndër më të dobëtat në rajon dhe në Europë nga pikëpamja ekonomike dhe ushtarake.

Dhe kështu, lind sërish pyetja: çfarë janë sot në gjendje të bëjnë vetë shqiptarët pa ndihmën e SHBA-ve?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *