Gola: Dhuna seksuale përbën një ndër mjetet më brutale që shoqëroi operacionet paramilitare, ushtarake dhe policore serbe
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, mori pjesë në konferencën e organizuar në Prishtinë.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari Gola theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës përbën një ndër mjetet më brutale që shoqëroi operacionet paramilitare, ushtarake dhe policore serbe, duke ndjekur logjikën e një lufte që synonte jo vetëm territorin, por edhe thyerjen e strukturës shoqërore dhe dinjitetit njerëzor.
Ai nënvizoi se kjo pjesë e historisë është e dokumentuar dhe e rrëfyer, duke mbetur e skalitur në kujtesën e të mbijetuarve dhe në ndërgjegjen institucionale.
Sipas tij, sfida kryesore qëndron në hendekun ndërmjet njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve, si dhe ndërmjet pranimit moral të së vërtetës dhe realizimit të drejtësisë konkrete.
Nënkryetari Gola vlerësoi se sistemi i drejtësisë vihet në provë pikërisht në trajtimin e rasteve të tilla komplekse dhe emocionalisht të rënda, duke theksuar se rastet e dhunës seksuale gjatë luftës janë ndër sfidat më të mëdha për çdo sistem gjyqësor.
“Ndonëse Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në njohjen institucionale të të mbijetuarve dhe në krijimin e mekanizmave mbështetës, drejtësia mbetet e paplotë pa një ndjekje penale që i përgjigjet përmasës së krimeve”, tha nënkryetari Gola.
Në vijim, ai theksoi rëndësinë e diskutimeve mbi jurisprudencën, standardet e provës, trajtimin e raportimeve të vonuara, mbrojtjen procedurale të të mbijetuarve dhe të drejtën në kompensim, duke i cilësuar ato si çështje thelbësore që përcaktojnë nëse drejtësia do të jetë reale apo vetëm parimore.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, nënkryetari i Kuvendit ët Kosovës theksoi nevojën për koordinim me shtetet që ndajnë të njëjtën trashëgimi të luftërave, si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si të domosdoshëm për avancimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimeve.
Ai gjithashtu theksoi se shumë nga autorët e këtyre krimeve ndodhen në Serbi, duke shtuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e këtij shteti mbetet një pengesë serioze për vendosjen e drejtësisë.
Në këtë kontekst, Gola përmendi angazhimet e institucioneve të Kosovës, duke theksuar hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë gjatë mandatit të kaluar nën udhëheqjen e Albulena Haxhiut, përfshirë forcimin e kapaciteteve për ndjekjen e krimeve të luftës dhe krijimin e bazës ligjore për gjykime në mungesë për të dyshuarit që ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës.
Ai po ashtu vlerësoi si të rëndësishëm emërimin nga ana e U. D. Presidentes Haxhiu, të znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani si të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se përfshirja e drejtpërdrejtë e të mbijetuarve në proceset vendimmarrëse është thelbësore.
Në përfundim, nënkryetari Gola ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të forcuar qasjen në drejtësi për të mbijetuarit, për të avancuar mekanizmat e llogaridhënies dhe për të mbështetur çdo përpjekje që synon vendosjen e drejtësisë së plotë.
