Qeveria e Kosovës miratoi katër projektligje për bashkëpunim juridik me Suedinë dhe Belgjikën
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratur katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me Mbretërinë e Suedisë dhe Mbretërinë e Belgjikës, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit juridik në çështjet penale.
Projektligjet, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Tri prej projektligjeve lidhen me marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, ndërsa i katërti ka të bëjë me Traktatin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Projektligjet e miratuara janë:
Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ekstradim (MD).
Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale (MD).
Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Transferimin e Personave të Dënuar (MD).
Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike Çështje Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës (MD). /Telegrafi/
