TË FUNDIT

Baton, kush është kriminel i fjalës – ti apo unë?!

Me datën 24 shtator 2026 në studion e emisionit Opinion në Klan TV u orkestrua një shpifje me qëllim të përcaktuar, denigrimin e punës time si studiues, komentator dhe opinionist në mediet shqiptare, por edhe të huaja. Ishte një teatër plot shpifje me prirje denigrimin e punës dhe figurës time. Protagonistë të kësaj skene ishin Baton Haxhiu, drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu dhe gjithë i opinionit. Spektatorë të lumtur qenë Shkullaku, Rexhaj dhe të tjerë pjesmarrës në emision.

Regjia kishte ngarkuar Fevziun që ta nxiste rrëfimin trillues të Batonit, kur i bëri atij pyetjen nëse djali i tij paguhej nga SHISH apo jo. Megjithëse kjo pyetje nuk kishte asnjë lidhje me mua, Batoni e nisi rrëfimin e tij të gënjeshtërt me një konflikt gjyqësor që kam pasur në vitin 2018 me djalin e tij (saktësisht me vetë Batonin) sa i përket një publikimi të djalit të tij, të ripublikuar nga ana ime.

Pak histori: – Në mars të vitit 2018 unë pashë se Andi Haxhiu, pra djali i Batonit, kishte publikuar një status në të cilin shkruante në anglisht se ai “ishte në rolin e këshilltarit në Ministrinë Ruse të Mbrojtjes”! E mora dhe e postova këtë të kopjuar këtë status me një shënim timin. Gazeta “Bota sot” e mori dhe e botoi. Andi Haxhiu reagoi kundër meje dhe kundër gazetës “Bota sot”. Diku nga korriku i atij viti kishte bërë padi civile ndaj meje. Shkova në Prishtinë dhe zbulova se Andi një ditë më vonë kishte ndryshuar statusin dhe bazuar në atë ndryshim, me padiste në gjykatë, fillimisht në Durrës, çeshtje e cila u transferua në Tiranë. Mora numrin e gazetës “Bota sot” të datës 26 mars 2018 dhe e noterizova, sepse në atë artikull të kësaj gazete provohej që Andi Haxhiu kishte ndryshuar statusin e tij. Me një staztus të ndryshuar ai kishte bërë edhe padinë e tij.

Në ato ditë po ashtu një i afërt i Batonit nga Prizreni më pati kërcënuar në rrjete sociale për këtë denoncim që kisha bërë. Mediet kanë shkruar për kërcënimin në fjalë. Ndërkohë gjyqi vazhdoi në Tiranë. Kam shkuar dy herë në atë gjyq, sepse në të gjitha seancat e tjera ka qenë i pranishëm vetëm avokati im, Jordan Daci. Zotin Daci e kam pyetur për rrjedhën dhe kurrë nuk më ka thënë se ka një dënim për mua. As gjykata deri më sot nuk ka dërguar ndonjë njoftim. Kurse Batonit i është shërbyer me kaq shumë devotshmëri. Një ditë pas atij emisioni mora vesh se paska vendim dënimi me dy milion lekë gjobë. Madje nuk e di ende nëse janë dy milion të reja apo të vjetra. Por kjo nuk më intrigon. Në njërën nga këto seanca gjyqtarja kërkoi që të kishte një mirëkuptim për ta pushuar çeshtjen. Dy avokatët e Andit kërkuan dhjetë minuta pushim dhe folën në telefon me Batonin. Ia thanë këtë, ndërkohë që Batoni kërkoi që unë të bëja një status në FB ku të kërkoja falje.

Kur më pyeti gjyqtarja, kam thënë vetëm kaq. “Unë jam i gatshëm të bisedoj dhe merrem vesh, por kurrësesi me kushte. Dhe e bëj këtë thjesht se nuk kam nerva të sillem dyerve të gjykatës”! Me kaq u mbyll diskutimi dhe gjyqi vazhdoi rrjedhën e vet. Autorizoj këdo, sidomos gazetarët, që të marrin proçesverbalin dhe të shohin nëse kam thënë kaq apo më shumë se kaq. Ndërkohë Batoni të enjten e shkuar në opinion shpifi kur tha se “Enver Bytyçi është lutur për mëshirë”! Një shpifje e ndyrë, me të cilën ai synon të cënojë krenarinë time, pasiqë krenaria, dinjiteti dhe personaliteti i tij janë përtokë. Si kurrë ndonjë herë më parë.

Në atë debat të opinion-it Batoni ia jep regjisë vendimin e gjykatës. Pas disa minutash Fevziu bën publik masën e dënimit me dy milion lekë, siç tha ai. Harroi Fevziu se është shkelje e rëndë e etikës që të publikosh të dhëna të tilla, pa praninë e personit për të cilin flitet. Por me Fevziun jemi mësuar. E gjen trafikantin e drogës deri në Miami të SHBA-ve për t’ia dhënë të drejtën të kërcënojë penalistët e tij në emision, por nuk merakoset aspak për emrat publikë që përmend, duke e bërë opinionin një tabelë të fletë-rrufesh ose Dacibao-sh. Kjo është arsyeja pse unë nuk e pashë skenën e turpshme të opinion, që merrej me emrin tim. Nuk e ndjek prej disa vitesh më. Është opium për publikun, asgjë më shumë. Por e pashë një ditë më pas, madje vonë, ndërkohë që paradite më kishin bërë dhjetra telefonata për t’më thënë se çfarë kishte ndodhur.

Në videon që pashë Baton Haxhiu disa herë më konsideroi si “kriminel i fjalës”! Ishte kjo një gjetje e tij për të denigruar edhe më shumë jo vetëm personalitetin tim, por edhe punën time me përkushtim për ta mbrojtur atdheun, Kosovën dhe Shqipërinë nga fjala dhe veprimi kriminal i Baton Haxhiut, Edi Ramës e të tjerë që mbështeten edhe prej Fevziut. Vetëm një shembull: – Kur Baton Haxhiu publikisht kërkoi që 1) Kosova të ndahet dhe veriu i saj t’i jepej Serbisë. 2) Të falen krimet e Serbisë në Kosovë. Dhe 3) në këmbim të kësaj të shuhej Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë unë kam reaguar ashpër, sepse të tri këto kërkesa ishin dhe janë tradhti kombëtare. Tani lexuesi mund të më thotë nëse është kriminel i fjalës ai që shet atdheun dhe fal gjakun e dhjetëra mijë shqiptarëve të masakruar me genocid në Kosovë, apo unë që e kam denoncuar këtë krim fjale të Baton Haxhiut. Po ashtu dhe një fakt të dytë: – Të gjithë e mbajmë mend kur Blendi i jepte Batonit shkopin tregues dhe ky i fundit tregonte në hartë se cila pjesë e Kosovës do t’i jepej Serbisë, por kurrë nuk ttregoi me atë shkpo se cila pjesë e Luginës do t’i jepej Kosovës. Batoni e thoshte me burrje se ishin 1200 km2, të veriut të Kosovës që do t’i faleshin Serbisë. Kësaj radhe nuk po jap shembuj të tjerë.

Megjithatë për Batonin kriminel i fjalës qenkam unë. Ndërsa ai qenka mjeshtër i fjalës. Nëse mjeshtria e fjalës peshohet me tradhtinë, atëherë edhe unë po smbrapsem dhe po them se “unë qenkam kriminel i fjalës”! Por për ta provuar nëse unë jam “kriminel i fjalës” ose jo, Baton Haxhiu në atë emision nuk dha asnjë provë. Nuk citoi asnjë fjalë kriminale timen. Madje nuk citoi asnjë fjalë jo etike që unë kam përdorur. Dhe kjo për shkak se ai nuk mund të gjejë fjalë jo etike dhe të kriminalizuara. Nuk ka diçka kriminale në opinionet, komenetet dhe analizat e mia. Eshtë vetëm reagimi i drejtpërdrejtë, emërtimi i ngjarjeve dhe personazheve të tyre me emrin që kanë, pa zbukurime dhe pa servilizma. Fjalën e vërtetë, opinionin qytetar dhe të drejtpërdrejtë e kanë kriminalizuar Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu më shumë se kushdo tjetër në këtë vend. Ata ndërtojnë skenarë për emisionin e tyre. Nëse dikush del jashtë skenarit është Blendi që ndërhyn dhe thotë “Ok, vazhdojmë me përgjigjen e një pyetjeje tjetër”! Ata merren me kriminalizimin jo vetëm të fjalës, por edhe të shoqërisë shqiptare. Gysët e Agasëve, Mirilindat, Vlora e Hysenëve, dhe ngjarje të tjera të tmerrshme që po ndodhin në Shqipëri kanë gjithashtu brenda tyre kontributet Baton-Blendi për ta shtrembëruar realitetin shqiptar dhe për t’i fshehur dramat dhe krizat e mëdha të Shqipërisë në 13 vite radhazi. Janë këta të dy që i kanë shërbyer me zell këtij regjimi të ndyrë, me të cilin turpërohen edhe gurët e malit! Dhe njëri flet e tjetri miraton nocionin e “kriminelit të fjalës”, kur bëhet fjalë për emrin tim.

Narrativa tjetër e Batonit ishte se “Enver Bytyçi dhe Sali Berisha flasin me të njëjtën gjuhë” dhe janë afër njëri-tjetrit. Sa për dijeni, unë nuk jam afër Sali Berishës, sepse nga ai nuk kam përfituar 18.000 euro. Nuk kam përfituar as edhe 18 euro ndonjëherë prej Sali Berishës. Se nuk jam pazarxhi si Batoni. Por jam krenar që e ëbështes Sali Berishën në të drejtën e vet. Unë krenohem me atë që shkruaj, edhe për Sali Berishën. Ndërsa Batoni krenohet kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kërcen nga podiumi në sallë dhe shkon me vrap ta takojë ushtarin e tij, Haxhiun. Ndaj jam pak i revoltuar, sepse në këtë vend, në emisionet si Opinion ngrihen tradhtarët aty ku bien dëshmorët. Eh Fan Noli i shkretë, sikur ta dije se edhe pas 100 vitesh në vendin tim e në vendin tënd ndodh e njëjta histori, një Edi Ramë dhe një Baton Haxhi, e çmendin një vend të tërë!

Për sot kaq. Thjesht në fund do të them se është nder për mua kur Baton Haxhiu më qorton, etiketon dhe përpiqet të më përbaltë. Do të ndjehesha shumë i turpëruar dhe i kompromentuar, nëse Batoni do të kishte vlerësime pozitive për mua. Ai debat në Opinionin e Fevziut më bindi se jam në rrugën e duhur dhe se fjalët e mia jo vetëm nuk janë kriminale, por janë e vërteta që atyre u djeg shumë. Nëse gjykata paska marrë vendim të më ndalojë mua të them të vërtetat që di, kjo nuk mund të ndodhë. Por lexuesi duhet ta dijë, se unë kam një rrogë modeste dhe nuk marr 18 mijë euro në muaj dhe as kam qenë e as jam këshilltar i kryeministrit në krye të organizatës kriminale, si Baton Haxhiu, për ta ndikuar atë gjykatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *