Aleanca e prishur: Pikat e ftohjes mes presidentes dhe kryeministrit!
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë rikthyer në qendër të vëmendjes raportet mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti. Veprimet dhe deklaratat e fundit të Osmanit, përfshirë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit dhe qëndrimet kritike ndaj qeverisë, kanë nxitur reagime të shumta në skenën politike dhe debate mbi arsyet e kësaj qasjeje më kritike ndaj ekzekutivit.
Këto zhvillime po interpretohen nga analistë të ndryshëm si shenjë e rritjes së tensioneve institucionale, duke hapur diskutime për ndikimin që këto përplasje mund të kenë në stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve të vendit.
Analisti politik Adnan Qaka kritikon ashpër Vjosa Osmanin duke thënë se marrëdhëniet e saj të tensionuara me Albin Kurtin dhe shkëputja nga ish-aleatët politikë kanë dobësuar koherencën e politikës së Kosovës.
Ai e vlerëson të dobët edhe politikën e saj të jashtme dhe kritikon raportet me Richard Grenell, ndërsa përmend edhe kritikat ndaj Edi Ramës që janë cituar nga gazetari gjerman Michael Martens.
“Në raportet me Kryeministrin Albin Kurti, Vjosa Osmani shpesh ka treguar distancë dhe tensione që kanë minuar koherencën e politikës kombëtare. Fillimisht, pritshmëritë për partneritet të fortë dhe reforma të thella u shfaqën të paplotësuara, duke lënë hapësirë për konflikte të brendshme dhe vendime që kanë dobësuar pozitën e shtetit. Shkëputja nga partnerët e saj politikë që e ndihmuan në ngritjen personale, nga Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa deri te Albin Kurti, është parë nga shumë burime si tradhti strategjike që nuk ka shërbyer interesit të qytetarëve dhe shtetit.
Në planin ndërkombëtar, miopia e Osmanit u bë edhe më e dukshme. Politika e jashtme e saj ka qenë e dobët, jo e koordinuar dhe shpesh e orientuar drejt qarqeve të diskutueshme. Vizitat në SHBA, pjesëmarrja në asamble të OKB-së dhe aktiviteti në të ashtuquajturin bord i paqes nuk kanë prodhuar rezultate konkrete për Kosovën, por e kanë ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve. Marrëdhëniet e saj me diplomatin amerikan Richard Grenell janë interpretuar si bashkëpunim me qarqe që në vazhdimësi kanë marrë qëndrime të ashpra ndaj Kosovës dhe janë përfshirë në projektin e ndarjes së territorit të Kosovës. Grenell, sipas fakteve dhe dëshmive të ofruara nga media ndërkombëtare dhe analistë të ndryshëm, i takon lobit serb në Amerikë, që në vazhdimësi punon kundër Kosovës dhe për copëtimin e saj. Po ashtu, Kryeministri Edi Rama, sipas shumë burimeve dhe mediave, ka pasur qëndrime në vazhdimësi kundër interesave të Kosovës, dhe kjo është vënë re edhe në diskursin ndërkombëtar; Pozicionin e Ramës, ironikisht, e ka artikuluar më së qarti një zë i jashtëm. Gazetari gjerman Michael Martens, korrespodent i Frankfurter Allgemeine Zeitung për Ballkanin, ka shkruar në platformën X: “Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikolla Pashiq”, tha ai për gazetën.
Qaka, madje akuzon Vjosa Osmanin për vendime të gabuara institucionale dhe politike, përfshirë çështjen e Asociacionit, demarkacionin me Malin e Zi dhe menaxhimin e ligjit për COVID-19, duke thënë se këto kanë dëmtuar interesat e Kosovës dhe diplomacinë e saj.
“Gabimet e Osmanit nuk përfshijnë vetëm diplomacinë, por edhe vendimet institucionale dhe të brendshme. Ajo ka shpërndarë Kuvendin në mënyrë që, sipas shumë analistëve, ishte antikushtetuese; ka marrë vendime mbi amendamentet kushtetuese vetëm për interes personal; ka treguar antikombëtarizëm për çështjen e Asociacionit dhe demarkacionit me Malin e Zi, si dhe për Gjykatën Speciale duke votuar dhe përkrahur këto vendime që konsiderohen antikombëtare. Gjithashtu, ka inkurajuar ligjin për vaksinimin me detyrim gjatë të ashtuquajturës pandemia Covid-19. Kuvendi i Kosovës në parim kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e të ashtuquajturës pandemia Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, i cili ishte mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, si të pozitës ashtu edhe të opozitës.
Diskutimi i kryeparlamentares në atë kohë, Vjosa Osmanit, në Kuvend gjatë shqyrtimit të projektligjit në fjalë ka befasuar më së shumti, i cili kryekëput ishte antidemokratik dhe diktatorial, duke përkujtuar kohën e komunizmit, pasi me aq vrull dhe guxim bëri thirrje për ndëshkimin e të gjithë atyre që shprehin mendime ndryshe, si dhe ndëshkimin drastik të atyre që shkelin ligjin në fjalë. Këtë ligj e kishte propozuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani në prill të vitit 2020, ndërsa pas tre muajve kishte ardhur në Kuvend. Tashmë jemi dëshmitarë për dëmet e mëdha që, sipas shumë faktëve dhe kritikëve, kanë sjellë vaksinat e Covid-19, sidomos në shtetin tonë gjatë plandemis së Covid-19. Ajo nuk ka treguar kujdes për fuqizimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore, e cila është e domosdoshme për ngritjen e pozitës ndërkombëtare të shtetit”, përfundon ai për “Bota sot”.
