Hapa minimale për zgjidhjen e kaosit në rrugën “Turistike” të Strugës, premtim i Merkos që nga mandati i kaluar
Deri më sot janë bërë hapa minimale për realizimin e premtimit parazgjedhor të kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko për rikonstruimin e rrugës “Turistike”, shkruan Portalb.mk. Ky premtim mbetet i parealizuar që në mandatin e kaluar të Merkos.
Ende nuk ka zgjidhje për kaosin urbanistik në një nga rrugët kryesore në qendër të qytetit të Strugës e njohur si rruga “Turistike”. Mungesa e infrastrukturës adekuate rrugore dhe mos-ndëshkimi i shoferëve të pa-ndërgjegjshëm ngarkon komunikacionin por dhe bllokon lëvizjen e lirë dhe të sigurt të këmbësorëve në zemër të qytetit.
Pamjet në qytet siç janë dokumetuar më poshtë nga Portalb, mbeten të njejta me vite.
This slideshow requires JavaScript.
Rikonstruimi i rrugës “Turistike” (segmenti rrugor rreth-rrotullimi “te banesat e verdha” deri te rreth-rrotullimi “te policia) ishte një ndër zotimet e kryetarit aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Edhe pas më shumë se një viti nga marrja e mandatit të ri në krye të Komunës së Strugës, në realizimin e këtij premtimi nuk është bërë ende asgjë.
Të pyetur nga redaksia jonë se çfarë hapash konkrete janë marrë në realizimin e këtij premtimi nga Komuna e Strugës na thanë se projekti do të realizohet vitin e ardhshëm.
“Po, është projekt i premtuar dhe së shpejti do të realizohet. Jemi në procedurë për të zgjedhur disa
probleme pronësore juridike, me pronarë privatë të asaj pjese. Në ndërkohë u zgjodh problemi me
largimin e ndërtesës së vjetër të MPB-së për lirimin e tokës. Ky projekt gjithashtu është paraparë në
Programin e vitit 2023”, deklaruan nga Komuna e Strugës për Portalb.mk.
Premtimi i Merkos për rikonstruimin e segmentit rrugor në fjalë nuk është premtim i ri për elektoratin strugan. I njëjti premtim figuron edhe në programin zgjedhor 2017-2021 “Për Komunën që duam” (faqe 15), pra një mandat më herët. Zotimi madje radhitet si një ndër veprimet prioritare në kategorinë “Urbanizëm dhe Infrastrukturë”.
Pak muaj para përfundimi të mandatit 2017-2021 u vërejtën disa lëvizje për ndryshimin e imazhit të shëmtuar të qytetit në pjesën e kësaj rruge kryesore.
Më 15 prill të vitit 2021 nga Komuna e Strugës njoftuan për prishjen e një objekti të vjetër në një pjesë të rrugës qendrore në qendër të qytetit. Bëhet fjalë për objektin e burgut të vjetër të qytetit, i cili ndonëse jashtë përdorimit dhe i rrënuar me vite të tëra ka penguar lëvizjen e qytetarëve. Prishja e objektit të burgut të vjetër dhe pastrimi i hapësirës përreth filloi më 11 maj. Në 4 qershor, një ekip i Komunës bashkë me kryetarin Ramiz Merko dolën në terren për të bërë matjet sipas elaboratit dhe planit detal.
This slideshow requires JavaScript.
Që nga shembja e objektit të vjetër hapësira e re e krijuar shfrytëzohet si vend parkim (siç e shihni në foto-galerinë më lartë).
Qytetarët struganë mendojnë se rikonkstruimi i këtij segmenti rrugor është jetik për qytetin por nga ana tjetër shprehen pesimistë nëse ndonjëherë do arrijnë ta shohin të realizuar këtë projekt.
Ka vite që premtohet rregullimi i kësaj rruge, thonë se paska probleme me shpronësimin e tokave. Nuk e di nëse do të rregullohet ndonjëherë, edhe nëse bëhet do e bëjnë “shkil e shko””, thotë një i moshuar.
“Kjo rrugë veç tjerash është edhe hyrje në qytetin e Strugës kur vjen nga Ohri dhe është për të ardhur keq imazhi që të krijon për Strugën sapo futesh në qytet”, u shpreh një qytetar.
“Nëse duhet të shkosh te marketet më poshtë nga këtu (Te rrethi te policia), detyrohesh të ecësh në rrugë. Njëra anë e rrugës nuk ka trotuare ndërkohë trotuari nga ana tjetër është gjithmonë i bllokuar me makina. Ironia është se pak metra më lartë gati çdo ditë ka policë të cilët i dënojnë qytetarët të cilët kalojnë rrugën pak më poshtë apo më lartë vizave të bardha ndërkohë nuk e shohin të nevojshme ti dënojnë shoferët e pa përgjegjshëm ti lirojnë hapësirat publike”, u shpreh një qytetare.
Rikonstruimi i rrugës turistike, projekt i cili duhej të ishte përfunduar veçmë, parashikon hapjen e korsive të reja të rrugës qendrore nga rreth-rrotullimi “te policia” deri rreth rrotullimi “te banesat e verdha”.
Projekti ka për qellim të lehtësojë lëvizjen e automjeteve, të sigurojë qindra vend-parkime të reja, trotuare për këmbësorë, shteg për biçikleta, kanalizim atmosferik, ndriçim rrugor dhe sistem tërësisht të ri për grumbullimin e kabllove elektrike nën tokë.
Nisur nga fakti se Merko premtoi që në mandatin paraprak se do të ketë rikonstruim, mund të konkludojmë se ky premtim nuk është realizuar në afatin e dhënë.
Burime:
- Programi zgjedhor 2017-2021 “Për Komunën që duam” (faqe 15), verifikuar më 09.12.2022.
- Programi zgjedhor 2017-2021 “Agjenda e Blertë” (faqe 43 dhe faqe 44), verifikuar më 09.12.2022.
- Publikim i Komunës së Strugës në rrjetet sociale 11 maj 2021, verifikuar më 09.12.2022.
Shefkije Alasani Send an email 08:49, 10-12-2022