POLITIKATË FUNDIT

Musliu: AKI-ja ka informacione se dy grupe në Rashkë po trajnohen për ta destabilizuar veriun

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka informacione që në Rashkë të Serbisë dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar veriun, sipas kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.

Këtë informacion, Musliu ka thënë se ua ka dhënë drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, që raportoi të mërkurën në këtë Komision.

Sipas saj, pjesëtarë të të ashtuquajturës Organizatë për Mbrojtje Civile po trajnohen në Rashkë për gjuajtje me armë e taktizime që synim kanë të destabilizojnë veriun, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pjesë e këtyre organizimeve, sipas Musliut, është edhe Lista Serbe që po ndikon në frikësimin dhe linçimin e serbëve në atë pjesë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve.

“E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë. Atje vazhdon djegia e veturave të qytetarëve serbë me targa RKS. Po ashtu linçimi dhe presoni është rritur ndaj qytetarëve serbë që nuk i binden Listës Serbe. Prandaj si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zë në befasi. AKI-ja po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion. Është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë e që mund të merren me veriun e Kosovës, ka stërvitje gjuajte me armë, taktizim”, ka thënë ajo para mediave.

Përveç katër komunave veriore, gjendja në territorin e Kosovës është gjithçka nën kontroll, sipas AKI-së.

“Nga drejtori u njoftuam rreth gjendjes së sigurisë në vend. Drejtori na raportoi në detaje për punë dhe aktivitetet e tij. Ky ishte një raportim i rregullt, por fokusi ishte në gjendjen e sigurisë ne veri të vendit ku tash edhe jemi në prag të zgjedhjeve. Gjendja e sigurisë në Kosovë konstatohet të jetë stabile në përjashtim të katër komunave në veri të vendit ku ka tendenca për destabilizim”, ka thënë Musliu. /EO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *