POLITIKATË FUNDIT

Hoti thotë se Serbia e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur me dhunë

Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim).

Kështu thotë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti.

Sipas tij, për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.

“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishmë, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezentimin e dokumentave serkrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”.

Hoti thotë se sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do ti publikohen edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate.

“Pavarësisht që me duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plote të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA e BE. Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *