POLITIKATË FUNDIT

Krasniqi në Hagë: Vetëm një mendje e çoroditur mund të thotë se kam marrë pjesë në persekutimin e anëtarëve të LDK-së

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat për të cilat po akuzohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

Krasniqi ka thënë se nuk e kupton logjikën e aktakuzës ndaj tij. Ish zëdhënësi i UÇK-së ka thënë se ndaj popullit shqiptar në Kosovë vazhdimisht është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime dhe askush nuk mund të thotë se ai ka bërë ndonjë nga këto krime, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme ndaj meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime. Unë e urrej dhunën, burgosjet, torturat, dënimet jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë e ndaj meje, por i konsideroj të ulta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën le të ju thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vrasje, burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdoqoftë”, ka thënë Krasniqi ndër të tjera.

A ka folur edhe për akuzat se ka marrë pjesë në persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Krasniqi ka thënë se edhe vet ka qenë pjesë e LDK-së dhe aty ka pasur edhe familjarë e bashkëluftëtarë.

Andaj, Krasniqi thotë se vetëm një “mendje e çoroditur” mund të mendojë se ai ka marrë pjesë në persekutimin e bashkëluftëtarëve e familjarëve të tij.

“Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhova në strukturat e LDK-së në Drenas. Në atë kohë LDK angazhohej që të organizonte një sistem paralel të jetës funksionale politike në Kosovës.

Si kuadër LDK-së në vitet në vijim kam udhëhequr Këshillin e Financave në Drenas dhe kam qenë edhe kryetar i Këshillit për Arsim dhe kryetar i degës, funksion që më mbante në kontakt me strukturat udhëheqëse.

Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar anëtarët e LDK-së. Unë vet isha pjesë e LDK-së. Familjarët e bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm në një mendje të çoroditur mund të ketë lindur ideja se unë mund të jem pjesë e persekutimit të familjarëve të mi, të bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi ndër të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *