TË FUNDIT

20 vjet traditë e 8 ditë shfaqje elitare: Ngrihet sipari i edicionit jubilar të SKUPI FESTIVAL

Mbrëmë hapi siparin zyrtarisht edicioni i 20-të jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “SKUPI FESTIVAL”.

Skena e Teatrit Shqiptar në Shkup mirëpriti natën e parë festive, duke nisur kështu një rrugëtim tetëditor plot emocione, art dhe përplasje estetikash nga e gjithë Europa.

Sipari i këtij jubileu të rëndësishëm u ngrit me premierën e shfaqjes “Unrecognized”, me autorë Davit Gabunia e Jeton Neziraj dhe nën regjinë e Data Tavadze.

Kjo shfaqje – një bashkëprodhim gjigant ndërkombëtar ku bëhen bashkë qendra teatrore nga Kosova, Gjeorgjia, Suedia, Ukraina e Maqedonia e Veriut – solli në skenë lojën e shkëlqyer të aktorëve Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami, duke marrë duartrokitjet e ngrohta të publikut kryeqytetas.

Tetë ditë art, tetë shfaqje elitare

Nga data 10 deri më 17 tetor, publiku do të ketë mundësi të ndjekë tetë shfaqje me prapavijë të larmishme gjeografike e kulturore – nga Kosova, Shqipëria, Polonia, Moldavia, Turqia, Bullgaria dhe Serbia.

Disa nga pikat kyçe të programit që priten me kureshtje ditët në vijim përfshijnë:

12 Tetor: Klasikja “Hamleti” nga Teatri Metropol i Tiranës (regjia: Jonida Beqo).

13 Tetor: Produksioni polak “Sexoholic” (Teatri Shtukofnia).

14 Tetor: Dramaturgjia kosovare me “Gërrdia” nga Teatri Kombëtar i Kosovës (regjia: Astrit Kabashi).

15 Tetor: Mbrëmje e dyfishtë me “Gjërat që nuk thuhen” (Moldavi) dhe “Muhamed Ali” (Stamboll, Turqi).

16 Tetor: Satira e njohur “Zoti i Masakrës” nga Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” i Bullgarisë.

17 Tetor: Mbyllja e madhe me bashkëprodhimin rajonale “Ata nuk janë më” (Hartefakt / SARTR / My Balkans), me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Mirjana Karanović, Svetozar Cvetković dhe Alban Ukaj.

Çmimi Kryesor “Luran Ahmeti” dhe Juria Profesionale

Në këtë 20-vjetor, SKUPI FESTIVAL vjen edhe me një jurie të përbërë nga tri profesioniste të njohura të artit e kulturës: Vesna Kusleska, Merita Cocoli dhe Anisa Ismaili. Ato do të vlerësojnë produksionet pjesëmarrëse dhe do të ndajnë tri çmimet e festivalit, ku qendrori është Çmimi Kryesor “Luran Ahmeti” – një homazh i mekur ndaj figurës dhe kontributit të paçmueshëm të aktorit të ndjerë shqiptar në skenën teatrore.

Festivali drejtohet nga Muzbajdin Qamili – Muçi, ndërsa Këshilli Artistik kryesohet nga Senko Velinov, me drejtor artistik Osman Ahmetin. Ngjarja realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe partnerëve të tjerë mediatikë e kulturorë. Të gjitha shfaqjet do të vazhdojnë të luhen çdo mbrëmje në skenën e Teatrit Shqiptar – Shkup deri më 17 tetor.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *