Olivia Rodrigo në telashe pas festivalit të saj – shitësit pretendojnë se humbën mijëra dollarë dhe nuk morën pagesat
Këngëtarja amerikane, Olivia Rodrigo, është përballur me kritika pas disa pretendimeve të bëra nga shitës që morën pjesë në festivalin e saj bamirës, Daisy Chains Field, të mbajtur në Kaliforni në fund të gushtit.
Disa prej tyre kanë deklaruar se kanë pësuar humbje të konsiderueshme financiare dhe se ende nuk kanë marrë pagesat që u takojnë nga shitjet gjatë festivalit.
Në qendër të akuzave është kompania DLS Events, e cila ishte përgjegjëse për organizimin e shitjeve të ushqimit dhe pijeve.
Mary Chacon, pronare e një biznesi ushqimor, tha se pjesëmarrja në festival i shkaktoi biznesit të saj humbje prej mijëra dollarësh.
Sipas saj, shitësit duhej të paguanin tarifa dhe një përqindje të shitjeve, ndërsa gjithashtu u përballën me mungesë informacioni dhe probleme organizative.
Ajo pretendoi gjithashtu se kushtet e punës ishin të vështira, duke treguar se një anëtare e ekipit të saj pësoi lodhje nga nxehtësia dhe se stafi kishte vështirësi për t'u larguar nga zona e festivalit.
Edhe një tjetër biznes, Por Suerte Cookies, deklaroi publikisht se kishte pësuar humbje dhe se ende priste të merrte paratë e fituara nga shitjet gjatë eventit.
View this post on Instagram A post shared by Olivia Rodrigo (@oliviarodrigo)
Akuzat kanë shkaktuar reagime në rrjetet sociale, veçanërisht për shkak se festivali ishte konceptuar si një ngjarje që promovon gratë në muzikë dhe mbështet iniciativa bamirësie.
Megjithatë, deri tani nuk është e qartë se sa e informuar ishte Olivia apo ekipi i saj për problemet e pretenduara nga shitësit.
Shumica e akuzave të bëra publikisht lidhen me DLS Events, kompaninë që menaxhonte shitjet e ushqimit dhe pijeve në festival.
Në festival performuan emra të njohur të muzikës, përfshirë Doechii, Chappell Roan, Stevie Nicks dhe Sarah McLachlan, teksa në skenë u ngjit edhe vetë Olivia Rodrigo. /Telegrafi/
