POLITIKATË FUNDIT

Rama: Gjykata Supreme e kthen në pikën zero çështjen e kontratës së NPB-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Gjykata Supreme e ka kthyer në pikën zero çështjen e kontratës së kontestuar të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke e cilësuar këtë si zhvillim të rëndësishëm për mbrojtjen e pronës publike dhe të drejtave të punëtorëve.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se që nga marrja e mandatit të parë si kryetar i kryeqytetit ka insistuar në hetimin e kontratës dhe procesit që lidhet me pronën publike në Lakrishte.

Ai ka rikujtuar se procesi ishte iniciuar dhe zhvilluar në vitin 2021, gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

“Më 27 prill 2021 është marrë vendimi, më 17 maj është nënshkruar kontrata, më 16 gusht është lëshuar leja e ndërtimit dhe më 5 tetor është nënshkruar Aneks-Kontrata”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se administrata e tij nuk e ka iniciuar, negociuar apo nënshkruar kontratën, por ka marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e pronës publike.

“Ne as nuk e kemi iniciuar, as negociuar dhe as nënshkruar këtë kontratë. Por kemi marrë përgjegjësinë për ta mbrojtur pronën publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Rama e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, duke thënë se ai përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin që, sipas tij, synon vendosjen e drejtësisë.

“Sot fitoi interesi publik! Fitoi drejtësia! Fituan 350 punëtorët e NPB-së!”, ka shkruar Rama.

Ai u ka bërë thirrje organizatave joqeveritare, shoqërisë civile dhe mekanizmave të pavarur monitorues që ta përcjellin nga afër procesin e rivendosjes së rastit, me qëllim të garantimit të transparencës dhe llogaridhënies.

Në fund, Rama ka bërë të ditur se Kryeqyteti do t’i shtojë kapacitetet juridike dhe do ta forcojë mbikëqyrjen institucionale gjatë këtij procesi, për të siguruar, siç ka thënë ai, mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të punëtorëve të NPB-së. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *