TË FUNDIT

Zelensky: Ukraina respekton sovranitetin e Libisë pas sulmit ndaj anijeve ruse

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina është e gatshme për armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit me Rusinë, ndërsa u përpoq të sigurojë Libinë se Kievi respekton sovranitetin e saj, pas sulmit ukrainas ndaj një anijeje ruse në portin e Bengazit.

Në një intervistë për Al Jazeera, të zhvilluar në Kiev dhe të transmetuar të dielën, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme t’i ndalë luftimet përgjatë “vijës së kontaktit”, por nuk do ta njohë aneksimin e territoreve ukrainase nga Moska.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka treguar gatishmëri për të tërhequr forcat ruse nga territori i Ukrainës. Për këtë arsye, sipas tij, qëndrimi i Kievit është: “Le të ndalemi këtu dhe të kalojmë te diplomacia”.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina nuk do ta njohë zyrtarisht aneksimin rus të territoreve të pushtuara. “Shtëpitë, qytetet dhe vendbanimet tona janë tonat”, tha ai, edhe në rastet kur ato janë shkatërruar nga lufta.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Putini mund të përpiqet të “shkojë më tej” nëse Kievi do të pranonte të hiqte dorë nga territoret në këmbim të paqes, transmeton Telegrafi.

Lufta po i afrohet pesëvjetorit, ndërsa Rusia kontrollon rreth 19 për qind të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë. Megjithëse përparimi i forcave ruse është ngadalësuar gjatë këtij viti, të dyja palët kanë shtuar së fundmi sulmet ndaj urave, sipas monitoruesit të konfliktit Armed Conflict Location and Event Data.

Ndërkohë, Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po përgatit një sulm të madh ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, në prag të dimrit.

Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës, e cila ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra ushtarëve dhe mijëra civilëve ukrainas, kanë shënuar pak përparim, përveç disa shkëmbimeve të të burgosurve.

Zelensky tha se beson që SHBA-ja dëshiron sinqerisht t’i japë fund luftës, por kërkoi nga Uashingtoni të shtojë presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve të reja dhe të shqyrtojë një paketë të madhe shtesë të ndihmës ushtarake për Kievin.

Ai shprehu shpresën që presidenti amerikan, Donald Trump, të vazhdojë përpjekjet për përfundimin e luftës, pa ia ngarkuar vetëm Ukrainës koston e paqes.

Sipas tij, presioni ndaj Kievit për të dorëzuar territore do të ishte i padrejtë dhe gabim për të gjithë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Duke theksuar se Ukraina gëzon mbështetje nga të dyja partitë kryesore amerikane, Zelensky tha se ai dhe ekipi i tij do të punojnë drejtpërdrejt me Kongresin e ri amerikan, ku demokratët do të kenë kontrollin dhe i cili do të nisë punën më 3 janar.

Prioriteti i tij, siç u shpreh, është që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi ta detyrojnë Putinin të negociojë për përfundimin e luftës.

Presidenti ukrainas foli edhe për polemikat e shkaktuara nga sulmi i fundit i Ukrainës ndaj anijeve ruse në ujërat libiane.

Sipas forcave me bazë në Libinë lindore, të cilat i përkasin të ashtuquajturës Ushtri Kombëtare Libiane, një sulm ndaj një anijeje luftarake në portin e Bengazit shkaktoi vdekjen e dy oficerëve të marinës libiane.

Libia qeveriset nga dy administrata rivale: njëra në lindje dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli.

Zelensky i cilësoi anijet luftarake ruse që transportojnë armë si objektiva legjitime, por theksoi se Ukraina nuk dëshiron përshkallëzim të konfliktit në Afrikën e Veriut.

Ai tha se dëshiron t’ia bëjë të qartë popullit libian se Kievi respekton sovranitetin e vendit dhe se sulmet nuk kishin për qëllim Libinë apo portet e saj. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *