Lëvizja Studentore dënon dhunën ndaj një babai të tetë fëmijëve, kërkon zbardhjen e rastit nga MPB-ja
Lëvizja Studentore ka reaguar për sulmin e rëndë ndaj punëtorëve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup.
Nga Lëvizja thonë se kërkojnë drejtësi deri në zbardhjen e plotë të rastit, duke shtuar se edhe MPB-ja të mos luajë me standarde të dyfishta, por rasti të hetohet deri në fund.
"Një burrë i ndershëm e punëtor, baba i 8 fëmijëve, pasi përfundon ndërrimin e natës në Higjienën Komunale, u përball me dhunë brutale nga një grup prej 15 personash, të cilët janë deklaruar si komitet të palës maqedonase. Ky qytetar, për të siguruar bukën e gojës për 8 fëmijët e tij, punon gjatë natës në Higjienën Komunale, ndërsa ditën vazhdon punën në privat. Një njeri që sakrifikon gjithçka për familjen e tij, në vend që të gjejë respekt dhe siguri, përfundon viktimë e dhunës. Si Lëvizja Studentore, kërkojmë nga institucionet kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme, të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm dhe të sigurojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të luajë me standarde të dyfishta: për dikë të jetë nënë, e për dikë tjetër njerkë! Para pak kohe, Ministria publikoi se lidhur me ngjarjet e 28 Nëntorit, 13 persona janë në kërkim, ndërsa 2 janë privuar nga liria. Atëherë, shtrojmë pyetjen publike: Çfarë po ndodh me 15 personat që kanë dhunuar një baba të 8 fëmijëve? A do të identifikohen? A do të merren masa ndaj tyre? A do të zbatohet ligji njësoj për të gjithë? Ne nuk kërkojmë privilegje për askënd. Kërkojmë drejtësi, barazi para ligjit dhe mbrojtje për çdo qytetar, pa dallim përkatësie etnike apo politike", thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.
Ata shtojnë se qëndrojnë në mbështetje të viktimës dhe familjes së tij, duke potencuar se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.
