Ky është Vigani që deshën ta vrasin mbrëmë në Prishtinë
Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka parandaluar një ngjarje potencialisht tragjike në kryeqytet.
Autoritetet e sigurisë kanë arritur të zbulojnë një plan të dyshuar për privimin nga jeta të një 36-vjeçari, ndërsa operacioni është shtrirë në disa qytete të Kosovës.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Sinjali, personi që dyshohet se ishte në shënjestër të këtij plani është Vigan Bekqeli, rreth 36-vjeçar.
Burimet e këtij mediumi kanë zbuluar edhe identitetin e katër personave që dyshohet se kanë lidhje me përgatitjen e veprës së rëndë penale.
Bëhet fjalë për Evatar Ajvazin, rreth 38-vjeçar, Bekim Rexhepin, rreth 51-vjeçar, Gëzim Begun, rreth 29-vjeçar dhe Fidaim Hotin, rreth 46-vjeçar.
Hetimet kanë nisur pas pranimit të informacioneve për një plan të dyshuar kundër Bekqelit, më 27 nëntor.
Pas sigurimit të këtyre informacioneve, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh operative dhe hetimore.
Në kuadër të hetimeve është identifikuar dhe intervistuar edhe Vigan Bekqeli, personi që dyshohet se ishte në shënjestër.
Policia ka arritur të identifikojë dhe sekuestrojë një automjet që dyshohet se kishte lidhje me rastin, brenda të cilit është gjetur një armë zjarri dhe municion.
Hetimet janë zgjeruar më pas edhe në disa lokacione të tjera, ku janë realizuar kontrolle në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar.
Sipas Sinjalit, gjatë kontrolleve është sekuestruar edhe një armë tjetër zjarri dhe municion shtesë.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar Evatar Ajvazi, ndërsa tre personat e tjerë të identifikuar fillimisht nuk ishin gjetur nga autoritetet.
Zhvillime të reja janë shënuar me arrestimin e Fidaim Hotit, i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim policor.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se operacioni është zhvilluar më 28 dhe 29 nëntor, në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe atyre të sigurisë.
Bastisjet nuk janë kufizuar vetëm në kryeqytet, por janë shtrirë edhe në territorin e komunave të Obiliqit dhe Gjakovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, deri më tani tre persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përgatitjen në bashkëkryerje të një vepre të rëndë penale kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje.
Megjithatë, në informacionet e publikuara nuk është bërë i ditur identiteti i personit të tretë të ndaluar.
Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit të përcaktuar ligjor do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të ndaluarve.
Një nga aspektet që mbetet ende i pazbardhur është motivi i dyshuar i këtij plani.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse ndërmjet Vigan Bekqelit dhe personave të dyshuar kishte pasur ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje të mëhershme.
Gjithashtu, autoritetet nuk kanë publikuar hollësi lidhur me rolin individual që dyshohet se kishte secili prej personave të përfshirë.
Hetuesit po vazhdojnë punën për shqyrtimin e provave të sekuestruara, zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me të.
Përfshirja e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në këtë operacion është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, megjithëse detajet e angazhimit të saj nuk janë bërë publike.
Hetimet mbeten në zhvillim, ndërsa informacione të tjera priten pas ndërmarrjes së veprimeve të radhës nga Policia dhe Prokuroria.
Të gjithë personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
