OPINIONTË FUNDIT

Xhandarmëria e Kosovës shihet si hap kyç për forcimin e arkitekturës së sigurisë shtetërore

Gjatë ditës së djeshme, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur nisjen e procedurave për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

Ai njoftoi se ka nënshkruar krijimin e një grupi punues, i cili do të ketë për detyrë të analizojë, vlerësojë dhe të propozojë modalitetet e funksionimit të këtij mekanizmi të ri brenda strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas deklarimeve të tij, Xhandarmëria parashihet të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së përgjithshme të sigurisë në vend. Ajo synon të kontribuojë në garantimin e prezencës së shtetit në terren, veçanërisht në funksion të ruajtjes së kufijve shtetërorë, mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe në përballimin e situatave që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar.

Po ashtu, në fokus të këtij mekanizmi të ri përmenden edhe detyra si menaxhimi i trazirave me rrezikshmëri të lartë, reagimi ndaj kërcënimeve terroriste, si dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike të shtetit.

Ky zhvillim ka hapur diskutime të gjera në opinionin publik dhe në qarqet e ekspertëve të sigurisë, duke ngritur pyetje mbi nevojën reale, bazën institucionale dhe ndikimin që një strukturë e tillë mund të ketë në sistemin ekzistues të sigurisë në Kosovë.

Berisha: Themelimi i Xhandarmërisë pritet të rrisë kapacitetet operacionale të shtetit

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, i cili e vleësoi vendimin për formimin e Xhanadarmërisë së Kosovës, ndonëse tha se ky hap është i vonuar.

Sipas tij, një gjë e tillë është rekomanduar tash e një kohë nga ekspertët.

ImageFidair BerishaFoto galeri
“Krijimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës si një hap për forcimin e sigurisë është i vonuar, edhe pse prej kohësh ka qenë i paralajmëruar dhe i rekomanduar nga ekspertët e sigurisë si një domosdoshmëri për ruajtjen e rendit publik dhe reagimin ndaj situatave me rrezik të lartë. Vazhdimisht është vlerësuar dhe rekomanduar nga ekspertët që Xhandarmëria të themelohet sa më parë, mirëpo mbetet praktikë jo e mirë kur zëri i ekspertëve nuk dëgjohet mjaftueshëm nga institucionet”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Berisha foli edhe për detyrat e ndryshme që ka Xhandarmëria në shtete të ndryshme, e që lidhet me ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Megjithatë, ai tha se ka nevojë edhe për investime tjera në fushën e sigurisë.

“Nëse i shohim me kujdes sfidat e sigurisë sot, por edhe ato që mund të paraqiten në të ardhmen, shteti ka nevojë jo vetëm për Xhandarmëri, por edhe për investime të tjera në fushën e sigurisë. Çdo iniciativë për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë është në të mirë të shtetit dhe të një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët.

Varësisht nga shtetet dhe specifikat e sfidave të sigurisë apo kriminalitetit, Xhandarmëria zakonisht ka detyra të ndryshme që lidhen me ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, menaxhimin e trazirave dhe protestave të dhunshme, reagimin në situata emergjente dhe kriza të sigurisë, mbështetjen e operacioneve policore me rrezik të lartë, sigurimin e objekteve me rëndësi të veçantë shtetërore, kontrollin e zonave kufitare apo rurale, si dhe asistimin në rastet e fatkeqësive natyrore apo kërcënimeve terroriste”.

Ndër të tjera, eksperti potecnoi se Xhandarmëria është një mekanizëm më fleksibil më i specializuar në përballimin e sfidave të sigurisë.

“Në rastin e Kosovës, unë vlerësoj se themelimi i Xhandarmërisë pritet të rrisë kapacitetet operacionale të shtetit dhe të krijojë një mekanizëm më fleksibil dhe më të specializuar për përballimin e sfidave të sigurisë. Një strukturë e tillë mund të kontribuojë në reagim më të shpejtë institucional, koordinim më efikas ndërinstitucional dhe rritje të prezencës shtetërore në situata të ndjeshme të sigurisë”, përfundoi Fidair Berisha për “Bota sot”.

Elezi: Krijimi i një Xhandarmërie në Kosovë është një çështje që prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë kombëtare

Ndërsa, eksperti tjetër, Bedri Elezi tha se themelimi i Xhandarmërisë është një çështje e rëndësishme, por që kërkon që një gjë e tillë të bëhet mbi bazë të qartë kushtetuese, ligjore, profesionale dhe strategjike.

ImageBedri EleziFoto galeri
“Krijimi i një Xhandarmërie në Kosovë është një çështje që prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe si e tillë nuk mund të trajtohet si një vendim i zakonshëm administrativ apo politik. Çdo mekanizëm i ri i sigurisë duhet të ndërtohet mbi bazë të qartë kushtetuese, ligjore, profesionale dhe strategjike. Në mungesë të këtyre elementeve, ekziston rreziku që shteti të hyjë në një proces të paqartë institucional, me pasoja të mundshme në koordinimin dhe funksionalitetin e sektorit të sigurisë”.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, deri tani nuk ka ndonjë analizë mbi themelimin e këtij mekanizmi të ri të sigurisë.

Më tej, ai zbërtheu edhe strukturën e Xhandarmërisë dhe kompetencat e saj.

“Deri më tani nuk janë bërë publike analiza serioze juridike që dëshmojnë se një qeveri në detyrë ka mandat të plotë institucional dhe kushtetues për të themeluar një mekanizëm të ri të sigurisë me karakter të tillë. Një strukturë si Xhandarmëria nuk është thjesht një departament administrativ, por një organizëm me kompetenca potencialisht operative, me ndikim në rendin publik, menaxhimin e krizave dhe përdorimin e forcës shtetërore. Për këtë arsye, çdo iniciativë duhet të kalojë përmes debatit parlamentar, ekspertizës kushtetuese dhe konsultimit të gjerë me partnerët strategjikë të Kosovës.

Po ashtu, mungon një debat i thellë profesional dhe ekspert mbi nevojën reale të krijimit të këtij institucioni. Nuk kemi parë analiza të mirëfillta nga ekspertë të sigurisë, nga ish-drejtues policorë, nga komuniteti akademik, apo nga partnerët ndërkombëtarë të sigurisë që të argumentojnë qartë se Kosova ka boshllëk operacional që nuk mund të mbulohet nga strukturat ekzistuese. Institucionet serioze të sigurisë ndërtohen mbi analiza kërcënimi, matje të riskut dhe vlerësime strategjike”.

Në fund, Elezi shtoi se, krahas këtij mekanizmi të ri, Kosova ka nevojë për forcimin e institucioneve të inteligjencës dhe analizës së sigurisë.

Me këtë rast, potencoi se siguria kërkon institucione të koordinuara, profesionalizëm, planifikim strategjik dhe legjitimitet të plotë kushtetues.

“Në rrethanat aktuale, Kosova ka nevojë më shumë për konsolidim institucional sesa për fragmentim të sektorit të sigurisë. Çdo strukturë e re pa koordinim të qartë kompetencash mund të krijojë mbivendosje operative, konfuzion komandues dhe tension institucional ndërmjet mekanizmave ekzistues të sigurisë.

Një nga nevojat më strategjike të Kosovës sot është forcimi i institucioneve të inteligjencës dhe analizës së sigurisë. Shtetet moderne nuk mbështeten vetëm në forcë fizike apo në shtim të uniformave, por mbi kapacitetin për të mbledhur, analizuar dhe përpunuar informacione inteligjente në kohë reale. Pikërisht mbi bazën e produkteve inteligjente ndërtohen planet operative, parandalohet ekstremizmi, luftohet krimi i organizuar dhe menaxhohen kërcënimet hibride ndaj shtetit.

Siguria moderne kërkon institucione të koordinuara, profesionalizëm, planifikim strategjik dhe legjitimitet të plotë kushtetues. Pa këto elemente, çdo tentativë për krijimin e mekanizmave të rinj të sigurisë rrezikon të perceptohet më shumë si eksperiment politik sesa si reformë serioze shtetërore”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *