Uncategorized

Kusari-Lila pret bisedime “të vështira”, Halilaj tregon pengesën kryesore mes LVV-së dhe partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 6 korrik do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa deri atëherë nuk do të ketë bisedime mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe formimin e institucioneve.

Kryetari i partisë fituese dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë sot në një deklaratë për media se janë duke pritur certifikimin e rezultateve dhe trajtimin e ankesave.

Pas certifikimit, ai tha se do të zhvillohen diskutimet e nevojshme.

“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, dhe trajtimin e ankesave dhe pastaj pa humbur kohë do të kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari- Lila, pret bisedime të vështira në mes partisë fituese dhe partive tjera.

Të mërkurë, Kusari- Lila ka thënë se koalicioni që përfaqëson do të dalë me qëndrim zyrtar, ndërsa që i njëjti pret që edhe subjektet tjera të veprojnë njëjtë, pasi, siç shtoi, deri më tani ka pasur vetëm deklarime të përgjithshme nga përfaqësues të partive, por jo vendime zyrtare të tyre, me përjashtim të Aleancës.

Kusari Lila shtoi se situata politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit është më e komplikuar sesa në proceset e kaluara, pasi sipas saj, brenda partive tjera, po shfaqen më shumë se një qëndrim për marrëveshje të mundshme politike ose koalicione.

Kjo, sipas saj, mund ta vështirësojë themelimin e institucioneve të reja dhe arritjen e ndonjë ujdie.

“Deri më tash çka kam dëgjuar, të paktën kanë qenë deklarime të përgjithshme të përfaqësuesve të partive, po jo në nivelin e vendimeve të këtyre partive. Përjashtoj njerëz të Aleancës që ka dalë konkretisht. në momentin e certifikimit të rezultateve, duhet të fillojë komunikimi zyrtar, me qëndrime zyrtare. Në rastin tonë është drejtuesi i partisë më të madhe të koalicionit, kryeministri Albin Kurti. Në pozicione të tjera janë kryetarët e partive, të cilët do të duhej të prezantonin qëndrimin zyrtar të partisë, por edhe të grupit të deputetëve që ata kanë. Për shkak se është situata pak më e komplikuar sesa në zgjedhjet e kaluara, kur sot nga një grupim parlamentar ose nga një subjekt politik ka dy-tri qëndrime. Kjo po se po e vështirëson shumë edhe do ta vështirësojë konstituimin e institucioneve apo një dakordim në mes të subjektit fitues të zgjedhjeve dhe partive tjera”, u shpreh Kusari.

Anëtari nga Lëvizja “Guxo”, Gazmend Halilaj, thotë se deklarata e Kusari- Lilës është reflektim realist i situatës politike.

Halilaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se LVV ka përgjegjësinë të zhvillojë bisedime me të gjitha subjektet parlamentare, ndërsa edhe partitë e tjera kanë përgjegjësi që interesin shtetëror ta vendosin mbi kalkulimet partiake.

“Deklarata e ministres në detyrë të Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, se vendin e presin negociata të vështira pas certifikimit të rezultateve zgjedhore është një reflektim realist i situatës politike, por njëkohësisht nuk e zbeh faktin se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca me legjitimitetin më të madh qytetar dhe me të drejtën e parë për të udhëhequr procesin e formimit të institucioneve. Duke qenë fituese e zgjedhjeve, LVV ka përgjegjësinë të zhvillojë bisedime me të gjitha subjektet parlamentare, ndërsa edhe partitë e tjera kanë përgjegjësi që interesin shtetëror ta vendosin mbi kalkulimet partiake. Pavarësisht deklaratave të deritanishme, politika është arti i kompromisit dhe negociatat shpesh sjellin dinamika të reja, sidomos kur bëhet fjalë për krijimin e institucioneve funksionale”, deklaron Halilaj.

Sipas tij, pengesa kryesore mes partive është mungesa e gatishmërisë për të bashkëpunuar me partinë fituese.

Ai shprehet se nëse një marrëveshje politike nuk arrihet në javët e para pas certifikimit vendi rrezikon të përballet me vonesa në konstituimin e institucioneve.

“Pengesa kryesore mbetet mungesa e gatishmërisë së disa partive për të bashkëpunuar me fituesin e zgjedhjeve, si dhe dallimet në programet politike dhe kërkesat për ndarjen e përgjegjësive institucionale. Megjithatë, presioni qytetar për stabilitet dhe funksionalizim të institucioneve pritet të ndikojë që palët të reflektojnë. Nëse një marrëveshje politike nuk arrihet në javët e para pas certifikimit, vendi rrezikon të përballet me vonesa në konstituimin e institucioneve, në miratimin e vendimeve të rëndësishme dhe në avancimin e proceseve zhvillimore e integruese. Një situatë e tillë do të krijonte pasiguri politike dhe institucionale, por njëkohësisht do të shtonte pritjet që subjektet politike të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, LVV ka mundësinë të dëshmojë se është e gatshme të ndërtojë ura bashkëpunimi mbi bazën e programit, interesit publik dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, duke synuar krijimin e një qeverie stabile dhe efektive”, shton anëtari.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 7 qershorit partia e parë ka dal Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13% që ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *