Vuçiqi fyente zyrtarët dhe ushtronte presion mbi ta, për ndërtimin e hotelit Trump në Beograd – FT sjell detaje
Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq ushtroi personalisht presion mbi nëpunësit civilë që të lejonin ndërtimin e një hoteli Trump në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Sipas dokumenteve dhe dëshmive të shqyrtuara nga Financial Times, ai i quajti zyrtarët që refuzuan të hiqnin mbrojtjen e kompleksit injorantë dhe kërkoi dorëheqjet e tyre, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, gazeta britanike ka siguruar një kontratë të plotë investimi të pabotuar më parë dhe dëshminë e njërit prej dëshmitarëve kryesorë.
Dokumentet zbulojnë se si autoritetet serbe të asaj kohe u përpoqën të hiqnin pengesat ligjore për projektin, i cili u mbështet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Plani parashikonte prishjen dhe rindërtimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Dhe bëhet fjalë për projektin që u bë një nga temat kryesore të protestave studentore kundër qeverisë së Vuçiq dhe, sipas Financial Times, kontribuoi në humbjen e tij zgjedhore muajin e kaluar.
Dubravka Gjukanoviq, ish-drejtoreshë e Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë, vitin e kaluar e përshkroi takimin me Vuçiqin në pallatin presidencial para prokurorëve.
Sipas deklaratës së saj, Vuçiq e quajti atë dhe kolegët e saj injorantë dhe kërkoi që ata të merrnin përgjegjësi dhe të mundësonin zbatimin e projektit.
Ai këmbënguli veçanërisht në heqjen e statusit të pronës kulturore të mbrojtur që kishte Shtabi i Përgjithshëm.
"Nuk është e këndshme kur dikush, edhe nëse është shteti, të vë në një situatë ku vendos të shembësh atë që je i detyruar të mbrosh", deklaroi Gjukanoviq në dëshminë e saj para Zyrës së Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar, në të cilën Financial Times kishte qasje.
Ajo i tha gazetës britanike se ishte veçanërisht e vështirë për të që presidenti ose nuk e dinte procedurën ligjore ose nuk interesohej për të.
"Takimi përfundoi me fjalët se të gjithë ata që nuk janë të gatshëm të mbështesin projektin duhet të japin dorëheqjen", citohet të ketë thënë Gjukanoviq.
Sipas saj, ministri i atëhershëm i Financave, Sinisha Mali përsëriti të njëjtën kërkesë në një takim pasues.
Gjukanoviq dhe një nga kolegët e saj më pas dhanë dorëheqjen.
Financial Times raporton se qeveria e Vuçiqit dhe investitorët amerikanë të lidhur me Kushnerin kanë punuar së bashku për më shumë se një vit pavarësisht problemeve gjithnjë e më serioze ligjore. / Telegrafi /
