TË FUNDIT

Shasivari: Gjuha Shqipe është dinjitet, identitet dhe e drejtë që duhet të respektohet

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, me rastin e 22 Nëntorit-Ditës së Alfabetit Shqip, ka përcjellë një mesazh urimi, duke vënë në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe përgjegjësinë institucionale për respektimin e gjuhës amtare. Në mesazhin e tij, Shasivari thekson se një popull që kujdeset për gjuhën e vet, kujdeset edhe për kujtesën historike, dinjitetin dhe të ardhmen e tij. Duke kujtuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ministri vlerëson se vendimi për njësimin e alfabetit ishte dëshmi e fuqisë së bashkimit të shqiptarëve përtej dallimeve, duke krijuar një bazë të përbashkët për zhvillimin e gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Shasivari nënvizon se respektimi i gjuhës nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e përkujtimit historik, por duhet të dëshmohet përmes përdorimit të saj dhe garantimit të së drejtës së secilit për të folur dhe për t’u shprehur në gjuhën amtare. “Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, këtë të drejtë e shoh si pjesë të pandashme të barazisë para ligjit dhe të dinjitetit njerëzor. Institucionet kanë përgjegjësi që të drejtat e garantuara të jenë të qasshme dhe të zbatueshme për qytetarët”, thekson Shasivari. Në fund të mesazhit, ministri shpreh mirënjohje për figurat historike që kontribuuan në njësimin e alfabetit dhe përcjell urimet për të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *