Vrasja e Arlinda Zekajt, Haxhiu i del në mbrojtje Gërvallës e Sveçlës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rastin e vrasjes së mbrëmshme të Arlinda Zekajt në Pejë.
Haxhiu, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, tha se Kosova ka shënuar përparime në infrastrukturën ligjore, por se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve nga institucionet përgjegjëse.
Ajo vuri në pikëpyetje efektivitetin e legjislacionit në rastet kur zyrtarët e policisë, prokurorisë, gjykatave dhe qendrave për punë sociale nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e viktimave.
Haxhiu shtoi se një grua që kërkon mbrojtje nuk ka nevojë vetëm për garanci ligjore, por edhe për reagim konkret të institucioneve, sidomos kur rreziku për jetën e saj është i madh.
“Asnjëra prej të gjitha këtyre veprimeve që kemi marrë nuk po mjafton. Nuk po mjafton për sa kohë kemi ende zyrtarë në Kosovë, polici, prokurori, gjykata apo qendra për punë sociale e kudo tjetër, që e vendosin në diskrecionin e tyre se a duhet të ndërmarrin një veprim apo jo. Pikërisht për këto arsye do të flasim në Kuvend. Çfarë kuptimi ka një ligj që miratohet në Kuvend, nëse atje një prokuror, gjyqtar, polic nuk e zbaton si të tillë? Prandaj është vendi ku duhet të flasim me zë të lartë, pasi një grua që kërkon mbrojtje nuk ka nevojë të dijë se ekziston një dispozitë ligjore që ia njeh një të drejtë, por ajo ka nevojë ta ndiejë mbrojtjen e institucionit pikërisht kur rreziku është i madh. Çfarë faji ka ministrja Gërvalla ose ministri Sveçla nëse Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme e kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që i kanë në dispozicion? Cila është përgjegjësia që kanë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme?”, theksoi ajo.
Haxhiu kërkoi që rasti i Arlindës të hetohet në tërësi, pa vonesa dhe pa përjashtuar asnjë institucion që mund të ketë qenë i përfshirë. Sipas saj, duhet të sqarohet se cilat veprime janë ndërmarrë, kur janë ndërmarrë dhe në çfarë mënyre kanë vepruar institucionet kompetente.
“Në rastin e Arlindës kërkojmë që të hetojmë pa vonesa dhe pa asnjë përjashtim veprimin dhe mosveprimin e secilit institucion që ka qenë i përfshirë. Qoftë nga policia, prokuroria, gjykata, qendra për punë sociale apo institucione të tjera kompetente. Sa kanë vepruar, kur kanë vepruar, si kanë vepruar. Të gjitha. Çdo detaj. Deri në fund. Kërkojmë hetim të pavarur dhe masa ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur detyrën”, shtoi Haxhiu.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit e cilësoi vrasjen si femicid dhe theksoi se dhunës ndaj grave shpesh i paraprijnë kërcënimet, kontrolli dhe frikësimi.
Haxhiu bëri thirrje që lufta kundër dhunës ndaj grave të mos mbetet vetëm përgjegjësi e tyre, por të jetë angazhim i gjithë shoqërisë, duke kërkuar në veçanti që edhe burrat të reagojnë kundër vrasjes së grave dhe vajzave.
“Është femicid, forma më e skajshme e dhunës ndaj grave. Femicidit i paraprijnë kërcënimet, kontrolli, frikësimi dhe dhuna e përsëritur. Qëndron mendësia që gruan e sheh si pronë dhe përpiqet t’ia kontrollojë jetën dhe zgjedhjet. Xhelozinë e trajton si dashuri dhe dhunën e konsideron si çështje private. Kundër kësaj mendësie duhet të angazhohemi të gjithë si shoqëri dhe, në veçanti, burrat, edhe burrat e këtij Kuvendi. Nuk mund të presim që vetëm gratë të flasin kundër dhunës që ushtrohet ndaj tyre. Edhe sot në këtë Kuvend pres që edhe burrat të flasin kundër vrasjes së grave dhe vajzave në vendin tonë”, përfundoi ajo.
