TË FUNDIT

Von der Leyen nesër vjen në Kosovë, pritet të takohet me Haxhiun dhe Kurtin

Pas qëndrimit në Shqipëri, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë nesër, më 1 tetor, Kosovën, në kuadër të turneut të saj të gjashtë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media, takimi von der Leyen-Haxhiu do të nisë nga ora 12:30 në ambientet e Presidencës së Kosovës.

Në fokus të vizitës do të jenë hapat e mëtejshëm në rrugën evropiane dhe procesi i integrimit gradual, i mbështetur edhe nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Pas vizitës në Kosovë, von der Leyen do të udhëtojë po më 1 tetor drejt Podgoricës, ndërsa turneu do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup. Gjatë turneut ajo pritet të vizitojë edhe projekte të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Gjatë vizitës së sotme në Shqipëri, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk e bën vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe vetë BE-në.

Në konferencën e përbashkët për media në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, ajo ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në rrugën drejt BE-së, por ka theksuar se ka ende punë përpara dhe se nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur.

Von der Leyen ka theksuar gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është kyçe në rrugën e anëtarësimit në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *