Hoti: Nuk pres që Ligji për Specialen të sjellë ndryshime të mëdha për katër ish-krerët e UÇK-së
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se nuk pret që Ligji për Dhomat e Specializuara të sjellë ndryshime të mëdha për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallën e parë nga Gjykata Speciale.
Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se pas leximit dhe krahasimit të ligjit të sapomiratuar me ligjin paraprak, nuk ka vërejtur dispozita që, sipas tij, do të mund të ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejtë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Nuk pres shumë ndryshim nga një projektligj i tillë. Unë e kam lexuar dhe e kam krahasuar me ligjin aktual. Ligji nuk përmend asnjë pikë ku ia mohon të drejtën Gjykatës Speciale për gjykimin e një grupi të organizuar kriminal, siç i quajnë ata. Një gjë e tillë nuk ceket në ligj. E dyta, ceket se për ata që tashmë janë dënuar nuk vlejnë pikat e atij ligji. Impakti i atij ligji krahas atyre që e kanë një dënim. Unë jurist nuk jam, por nuk besoj se nuk do të ishte aq i madh me ndryshimet e këtij ligji. Do të doja të ishte. Keni parasysh se keni një vendim dhe nuk janë në gjykim, dhe tash jemi në apel. Nëse ata do të ishin duke u akuzuar për një aktgjykim, ndryshimet do të kishin impakt edhe për ta, mirëpo ka vendim. Çdo ndryshim që kanë bërë në ligj, një prej pikave ishte ulja e dënimit në 15 vjet, që është e drejtë në vete, pasi është praktikë ndërkombëtare që të përdoret ligji më i favorshëm për të dënuarit. Por ne nuk po kërkojmë ulje të dënimit, por heqje të dënimit. Ne po konsiderojmë se është i padrejtë dënimi për udhëheqësit e UÇK-së”, tha ai.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian, ai tha se ato ishin të pritshme, duke pasur parasysh kërkesën për konsultim paraprak me unionin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas Hotit, ky konsultim nuk është zhvilluar gjatë hartimit të projektligjit.
“Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritshme, sepse një nga pikat që potencohet edhe në Kushtetutë është se për çdo ndryshim të atij ligji theksohet që do të duhej të kishte një konsultim paraprak me BE-në. Një gjë të tillë, sa e dimë ne, nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji që është hartuar për dy apo tre ditë”, shtoi ai.
Krahas kësaj, Hoti foli edhe për strategjinë që synohet të hartohet për procesin e apelit, pas vendimit për themelimin e grupit punues për këtë çështje.
Hoti tha se strategjia duhet të përgatitet sa më shpejt, por pa nxitim, në mënyrë që të shmangen gabimet dhe të sigurohet që ajo t’i shërbejë qëllimit për të cilin po hartohet. Ai nuk përcaktoi një afat konkret për përfundimin e saj.
“Afati kohor se kur do të realizohet strategjia, natyrisht, varet nga shumë faktorë, por për ne është e rëndësishme që të fillojë menjëherë dhe të trajtohet në radhë të parë. Të mos bëjmë gabime të mundshme, siç kemi parë javët e kaluara, dhe të ngutemi e pastaj të krijojmë një strategji e cila nuk do të ishte shumë në shërbim të asaj për çka krijohet. Një strategji e tillë do të krijohet shumë shpejt, por afat nuk mund të jap”, përfundoi Hoti.
