OPINIONTË FUNDIT

Vetëvendosje marrëveshje me PDK-në apo LDK-në për Presidentin? Profesori zbulon kushtet e partive opozitare për Kurtin

Kosova edhe në zgjedhjen e të parit të vendit, po futet në një krizë politike. Ndonëse afati politik ka kaluar, ende nuk është prezantuar ndonjë zgjidhje për të zgjedhur Presidentin e vendit.

Disa herë po përmendet mundësia e zgjedhjeve të reja, e poashtu edhe mundësia e një marrëveshje politike mes pozitës dhe opozitës.

Prof.dr. Enver Bytyҫi në një prononcim për ‘Bota sot’, duke parë rrjedhën politike në Kosovë, ka shprehur mendimin e tij se në cilin rrugëtim po ecen Kosova, drejtë zgjedhjeve të reja apo zgjedhjes së Presidentit të ri, pa hyrë në zgjedhje.

Ai duke komentuar deklaratat e liderëve të partive politike në Kosovë lidhur me këtë drejtim, thotë se në PDK, nuk flitet me një zë.

“Kanë mbetur edhe dy javë afat, kur mazhoranca dhe opozita e Kosovës do të duhet t’i japë vendit kreun e shtetit. Deri tani janë bërë takime e bisedime midis Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, si dhe Bedri Hamzës. Kurti si përfaqësues i mazhorancës ka kërkuar emra nga ana e opozitës, duke lënë të kuptohet se ai do të votojë edhe një kandidat për president që nuk i përket partisë së tij. Lumir Abdixhiku nuk ka thënë se çfarë opsioni do ta ketë dhënë. Ndërkaq Bedri Hamza ka kërkuar që Kurti të propozojë një emër për president të Republikës dhe pastaj ai ta diskutojë dakordësinë ose jo për emrin ose emrat që jep Kurti. Por Bedri Hamzës po i hyn në zonën e diskutimit edhe zevendësja e tij, Vlora Çitaku, deklaratat e së cilës japin me kuptu se në Partinë Demokratike nuk flitet me një zë”, vlerëson ai.

ImageEnver BytyҫiFoto galeri
A do ta ketë Kosova presidentin e saj në këtë periudhë që ka mbetur nga përcaktimi i afatit 34 ditor nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pyet profesor Bytyҫi.

“Vështirë të thuhet diçka me saktësi. Por nëse nisemi nga logjika, atëherë mund të themi se asnjë forcë politike nuk ka interes të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çka do të thotë se mazhoranca dhe opozita do të gjejnë një kandidat konsensual për numrin një të shtetit. Por si do të ndodhë kjo? Me shumë gjasa kjo bëhet përmes një marrëveshjeje politike, e cila garanton mbështetjen e njërës prej partive opozitare për mazhorancën. Këto parti janë vetëm dy, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, thekson ai.

Sipas tij, me Lidhjen Demokratike numrat janë në kufijtë e dështimit për ta zgjedh presidentin e Republikës. Por nëse zoti Kurti pajtohet psh që Lumir Abdixhiku të jetë kandidat për president, atëherë duhet besuar se të gjitha votat e deputetëve të partisë së tij do të jenë pro tij.

“Në këtë rast mund të sigurohet suksesi i votimit. Por nëse do të kishte një marrëveshje me të cilën LDK të votonte një kandidat të Vetëvendosjes, atëherë nuk besoj se këtë kandidat do ta votonin të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike”, thotë ai.

Ndërsa, me Partinë Demokratike është pak më ndryshe, thekson Bytyҫi, duke thënë tutje se, nNëse kjo parti bën marrëveshje politike me Kurtin dhe pranon konvensione në qeveri pa marrë pozicionin e kreut të shtetit, ka shumë mundësi që shumica e deputetëve ta votojnë marrëveshjen në fjalë, pra edhe një kandidat të Vetëvendosjes për president.

“Kjo për shkak se kjo parti ka 22 deputetë dhe për ta votuar presidentin do të duhen plus 14 vota përveç votave të mazhorancës aktuale. Por Partia Demokratike zor se do të bëjë një marrëveshje politike me kryeministrin Kurti. Në këtë parti diktojnë ekstremistët e korruptuar dhe ka shumë mëllef kundër Albin Kurtit. Kurti është i vetmi politikan, të cilin ish-kreu dhe themeluesi i PDK-së nuk ka mundur ta kontrollojë në asnjë pikëpamje. E kam fjalën për Hashim Thaçin. Thaçi kur pa se nuk po mund ta kontrollonte Fatmir Sejdiun, i ngriti kurthin që dihet dhe e largoi nga pozita e kreut të shtetit. Ndërsa Kurtit nuk dëshiron t’ia japë këtë shans. Kur them Kurtit, kam parasysh Vetëvendosjen. PDK udhëhiqet nga instikti i hakmarrjes ndaj Kurtit. Përkrahësit e Hashim Thaçit bëjnë ligjin aty dhe diktojnë gjithçka. Bëjnë gjithashtu presion. Për shkak të këtij presioni dhanë dorëheqjen dy ish-kryetarët që pasuan Thaçin, përkatësisht Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqi. Për këtë arsye PDK nuk e mbështeti akademikun Arsim Bajrami si kandidaturë shumë të përshtatshme për pozitën e krzetarit të shtetit”, vlerëson profesori.

Ai thotë se me këto shpjegime vlerëson se nuk pret ndonjë marrëveshje politike ku hyn zgjedhja e presidentit midis Partisë Demokratike në opozitë dhe Vetëvendosjes në qeverisje.

“Më e mundëshme është që kjo marrëveshje të ndodhë midis Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes e koalicionit të saj në mazhorancë. Kjo duhet të ndodhë edhe me kushtin që presidentin ta ketë LDK. Sepse vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Nuk ka Kosova atë komoditet që të bëjë zgjedhje të reja kaq shpesh. Ndërkohë zgjedhjet e reja parlamentare nuk sjellin zgjidhje. Sa përsëritet e zgjatet cikli me kosto të shumta e të gjithanshme, është më mirë që zgjidhja të jepet sot”, nënvizoi ai.

Sipas tij, nuk ka rëndësi se kush, cila parti e merr ozitën e presidentit të Kosovës. Me rëndësi është stabiliteti i vendit dhe integriteti i kandidatit për president. Vetëm këto dy kushte do të duhet të zbatohen.

“Kur flas për stabilitetin e vendit, kam parasysh që kusdo të jetë president të mos pengojë reformat e domozdoshme, sidomos ato në drejtësi. Të mos pengoje veprimtarinë e qeverisë e të parlamentit. Të angazhohet për drejtësi dhe respektim të Kushtetutës. Me këto veprime presidenti duhet të të dëshmojë se është me integritet dhe nuk anon nga partia së cilës ai ose ajo i përket. Stabiliteti dhe integriteti janë në lidhje të ngushtë bashkë. Një president me integritet krijon edhe stabilitet politik dhe siguri”, thotë prof.dr. Bytyҫi për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *