Konsullata në Bujanoc “hap historik”, Hasani kërkon veprime konkrete nga Shqipëria
Shqipëria pritet të hapë një konsullatë në Bujanoc.
Këtë e ka bërë të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia 2026.
Pas këtij takimi, Hoxha ka dhënë detaje lidhur me kërkesën e paraqitur për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc. “Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke njohur rëndësinë e tyre në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetit rajonal. Në këtë drejtim, vlerësova gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë, Publicisti dhe veprimtari nga Bujanovci Refik Hasani ka përshëndetur hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc, duke e cilësuar si një hap pozitiv dhe të rëndësishëm institucional.
ImageRefik HasaniFoto galeri
Ai ka theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë angazhimin e saj jo vetëm në këtë projekt, por edhe në mbështetjen e shqiptarëve të Luginës përmes investimeve dhe projekteve konkrete.
“Dje, u bë publike nga vetë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha,për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc, dhe përshëndesim inciativën konkrete për hapjen e kësaj Konsullate të Shqipërisë në Bujanoc.
Shpresoj se Shqipëria, do të vazhdon jo vetëm në zbatimin dhe finalizimin e këtij projekti në hapjen e Konsullatës, por do të vazhdoj të kryej obligimin Moral, Kombëtar e Kushtetues të afroj mbështetje,angazhim e përkushtim duke investuar në projekte tjera për shqiptarët e kësaj Krahine.
Shqipëria kërkohet të jetë më pranë jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive, por edhe në kultivimin e identitetit, dinjitetit shqiptar jashtë kufijve, prandaj është dhe duhet të jetë detyrë Kombëtare që Udhëheqë Shteti Amë.
Forcimi i pranisë diplomatike të Shqipërisë në këtë Rajon, është një hap strategjik, pasi shqiptarët janë më të diskriminuarit në të gjithë Europën.
Mbi të gjithë nuk e ka të zgjidhur statusin politik e juridik, dhe kërkon zgjidhje të drejtë, përmesë mjeteve politike e demokratike nën prezencën dhe monitorimin ndërkombëtarë duke garantuar të drejtat indviduale dhe kolektive”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka kërkuar që pas hapjes së Konsullatës në Bujanoc, Parlamenti i Shqipërisë të dënojë pasivizimin e adresave dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginë.
Hasani ka kërkuar që Shqipëria duhet të ketë angazhim më të madh në këtë krahinë, përfshirë edhe hapjen e zyrave ndërlidhëse dhe trajtimin parlamentar të problemeve si pasivizimi i adresave dhe mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në Serbi.
“Pas hapjes së vonuar të kësaj Konsullate shqiptare në Bujanoc, uroj që Parlamenti i Shqipërisë për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të dënoj DISKRIMINIMIN, si SPASTRIM ETNIK-PASIVIZIMI I ADRESAVE të shqiptarëve në Serbi.
Por edhe të ndërtoj një qëndrim të artikuluar-duke ndërtuar dhe mbajtur qëndrim të drejt, objektiv një qëndrim institucional të Republikës së Shqipërisë, mbi Referendumin e 1 e 2 mars 1992, për kryengritjen e armatosur të UÇPMB-ës, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj Krahine, dhe marrëveshjen e Konçulit.
Na mban shpresa se nuk do të jetë investimi i vetëm i Tiranës zyrtare në këtë Krahinë, por do të presim investime, konkrete në mbështetje dhe veprime për hapjen edhe të një zyre ndërlidhëse edhe në Tiranë, që është më se e domodoshme.
Po ashtu Parlamenti i Shqipërisë , do të ndihmonte ngritjen e kësaj teme, debatin parlamentar përmesë caktimit të një pike të posaqme të rendit të punës mbi pasivizimin e adresave, mos përfaqësim proporcional në nivelin lokal dhe qendror të Serbisë”, ka shtuar ai.
Tutje, Hasani ka deklaruar se në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc po rritet diskriminimi në të gjitha fushat dhe ka kërkuar miratimin e një rezolute për këtë çështje.
Ai ka nënvizuar se shqiptarët duhet të vazhdojnë rezistencën politike paqësore dhe se Shqipëria mbetet mbrojtëse e interesave kombëtare në këtë rajon.
“Kemi shtim të diskriminimit në gjithë segmentet e jetës në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc, dhe miratimin e një REZOLUTE. Hapja e Konsullatës Shqiptare në Bujanoc, edhe pse e vonuar është hap historik për Rajonin e Luginës së Preshëvës, dhe gjithë shqiptarët në Serbi.
Është ndihmes ndër shumë sfida të mbijetesës në ruajtjen e substancës, të mbrojm sakrificën dhe kontributin e luftës së armatosur si sfida të së ardhmes, ngritja, në nivelin më të lartë të ndërkombëtarizimit të kësaj çështje.
Hapja e kësaj Konsullate është kryemesazhi e reflektim se Rajoni i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nuk është vetëm çështje e bredshme e Serbisë, dhe se vërtet Shqipëria përkrah dhe bashkë do të jemi një zë i artikuluar.
Ende na duhet vazhduar të manifestojm rezistencë politike, me mjete paqësore për të drejtat individuale e kolektive.
Nga Shqipëria, edhe më tej presim, të investojn në kulturë, në ruajtjen e trashigimis kulturo-historike, në informim,në sport, në arsim veçmas në shkollimin e kuadrove universitare.
Përtej kësaj edhe të avokojn dhe lobojn në instanca e makanizma më të larta të BE-së dhe OKB-ës.
Shqipëria Amë, më së miri e mbron FRYMËN SHQIPTARE, pikërisht në Bujanoc, në Krahinën e Preshevës, dhe gjithënadej Serbisë, dhe është një kontribut, në sigurimin e një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt për shqiptarët kudo”, ka përfunduar Hasani.
