Udhëtoi 8 vjet për të arritur në Merkur, anija kozmike përgatitet për misionin historik
Pas një udhëtimi prej më shumë se tetë vitesh dhe rreth 9.7 miliardë kilometrash, misioni hapësinor evropiano-japonez BepiColombo ka mbërritur në Merkur dhe po përgatitet të hyjë në orbitën e planetit më të vogël të sistemit diellor.
Misioni, me vlerë rreth 1.6 miliard euro, synon të zbulojë se si është formuar Merkuri kaq afër Diellit, pse ka një fushë magnetike dhe çfarë përmban akulli i fshehur në krateret e tij, të cilat nuk ndriçohen kurrë nga rrezet e Diellit.
“Jemi shumë të emocionuar, ka qenë një pritje e gjatë”, deklaroi profesoresha Emma Bunce nga Universiteti i Leicesterit, e cila ka punuar në këtë projekt për dy dekada.
Udhëtimi drejt Merkurit konsiderohet veçanërisht i vështirë për shkak të gravitetit të fuqishëm të Diellit, që i përshpejton anijet kozmike dhe kërkon manovra të vazhdueshme për të ngadalësuar shpejtësinë.
Në fillim të dhjetorit, BepiColombo pritet të ndahet në dy sonda, një evropiane dhe një japoneze, të cilat do të vendosen në orbita të ndryshme rreth planetit.
Aktivitetet shkencore parashikohet të fillojnë në prill të vitit 2027.
Sonda evropiane do të studiojë sipërfaqen, përbërjen dhe strukturën e brendshme të Merkurit, ndërsa ajo japoneze do të analizojë fushën magnetike dhe atmosferën jashtëzakonisht të hollë të planetit.
Merkuri ndodhet rreth 58 milionë kilometra larg Diellit dhe karakterizohet nga temperatura ekstreme, që gjatë ditës arrijnë deri në 450 gradë Celsius, ndërsa natën bien në minus 180 gradë.
Shkencëtarët presin që misioni të sigurojë të dhëna të rëndësishme për formimin dhe evolucionin e planetit.
Dy sondat pritet të qëndrojnë në orbitën e Mërkurit për rreth tre vjet, përpara se t'u mbarojë karburanti dhe, përfundimisht, të përplasen në sipërfaqen e tij. /Telegrafi/
