TË FUNDIT

Audi nuk po ndalet – 7 modelet që pritet të pushtojnë rrugët në vitin 2027

Audi po vazhdon transformimin e gamës së saj të automjeteve, duke përgatitur disa modele të rëndësishme për vitin 2027.

Prodhuesi gjerman synon të forcojë konkurrencën me BMW dhe Mercedes-Benz, përmes modeleve sportive, SUV-ve luksoze dhe veturave elektrike.

Pas largimit nga prodhimi të modeleve A1, Q2 dhe A8, kompania po orienton strategjinë drejt elektrifikimit dhe automjeteve me performancë të lartë.

Një nga risitë kryesore do të jetë Audi RS6 i gjeneratës së re, i cili pritet të ofrohet në versionet Sedan dhe Avant.

Modeli parashikohet të përdorë teknologji hibride plug-in, me fuqi më të madhe se gjenerata aktuale.

Ndërkohë, Audi po përgatit edhe një veturë sportive plotësisht elektrike, të bazuar në konceptin Concept C.

Modeli me dy ulëse do të zhvillohet në bashkëpunim me Porsche dhe pritet të hyjë në prodhim gjatë vitit 2027.

Një tjetër risi është Audi RS Q5, që mund të bëhet versioni i parë me performancë të lartë i këtij SUV-i.

Ai pritet të vijë me motor V6 hibrid dhe sistemin e tërheqjes quattro.

Në segmentin e SUV-ve luksoze, Audi Q8 do të marrë gjeneratën e dytë, ndërsa Q9 do të zgjerojë ofertën me motorë benzinë dhe versione hibride për tregun evropian.

Vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe Audi Nuvolari, supervetura me teknologji hibride V8, e zhvilluar mbi një platformë të përbashkët me Lamborghini Temerario.

Me çmim rreth 700 mijë dollarë, prodhimi i saj do të kufizohet në 499 njësi.

Ndërkohë, Audi A2 e-tron do të rikthejë një emër të njohur në formën e një veture të vogël elektrike, duke synuar blerësit që kërkojnë një alternativë më të përballueshme.

Me këto zhvillime, viti 2027 pritet të jetë një periudhë e rëndësishme për Audin, që synon të ndërthurë teknologjinë elektrike, luksin dhe performancën sportive në gjeneratën e ardhshme të automjeteve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *