U zëvendësua në mes të lojës pasi ishte në gjendje të dehur, gjyqtari ia lë fajin sheqerit në gjak
Gjyqtari sirian Hanna Hattab, e cila u zëvendësua në pushimin mes pjesëve të një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve të Azisë, pasi u dyshua se ishte nën ndikimin e alkoolit, raportohet se kishte probleme me nivelin e sheqerit në gjak.
Hattab ishte gjyqtare kryesore në ndeshjen ndërmjet Al Jaziras nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Gol Goharit nga Irani.
Një moment i pazakontë ndodhi në minutën e 32-të, kur pas një faulli ndaj një futbollisti iranian, ajo ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, ndonëse ai nuk kishte qenë i përfshirë në incident. Vendimin e ndryshoi vetëm pasi u konsultua me gjyqtarin e katërt.
Pas këtij episodi, përfaqësuesit e Gol Goharit pretenduan se gjyqtarja nuk ishte në gjendje normale. Trajneri Mehdi Rahmati dyshohet se deklaroi se ajo ishte nën ndikimin e alkoolit.
Klubi iranian madje kërcënoi se nuk do ta vazhdonte ndeshjen nëse Hattab do të qëndronte në fushë si gjyqtare kryesore. Si rrjedhojë, ajo u zëvendësua nga gjyqtari i katërt për pjesën e dytë.
Pamjet e këtij episodi u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa tashmë ka dalë në pah një version tjetër për atë që kishte ndodhur.
Gazetari iranian i futbollit, Erfan Hoseiny, raportoi se Hattab nuk kishte konsumuar alkool, por kishte pasur nivel të ulët të sheqerit në gjak, gjë që dyshohet se i kishte shkaktuar humbje të përqendrimit gjatë ndeshjes.
Sipas gazetarit, gjyqtarja iu nënshtrua një kontrolli mjekësor pas përfundimit të takimit, i cili konfirmoi se ajo nuk ishte nën ndikimin e alkoolit.
Hoseiny u bëri thirrje të gjithëve që të mos përhapin akuza të paverifikuara dhe bëri të ditur se kishte fshirë të gjitha postimet e tij ku kishte folur për dyshimet rreth dehjes së gjyqtares.
Ai kërkoi që edhe të tjerët të vepronin njësoj, ndërsa kërkoi që drejtuesit e Gol Goharit të mbahen përgjegjës për akuzat e ngritura ndaj Hattab.
Ndërkohë, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me këtë rast./ Tel egrafi /
