Tri orë bisedime pa rezultat/Kasolli ‘analizon’ veprimet e Abdixhikut para dhe pas mocionit: Ia bënë më të lehtë LVV-së
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku u takuan të martën në vazhdën e diskutimeve për formimin e institucioneve të reja.
Takimi i cili është i dyti pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, zgjati pothuajse tri orë nuk rezultoi me një marrëveshje.
Pas takimit, Kurti u shprehe se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kaluar në frymë konstruktive, por pa prodhuar marrëveshje politike.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndajmë shumë brenga, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, u shpreh Kurti.
Ai tha se takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë pjesë normale e komunikimit politik dhe të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve, pavarësisht dallimeve ndërmjet tyre.
Megjithatë, Kurti konfirmoi se me LDK-në nuk është arritur marrëveshje.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi ai.
Ndërsa, Abdixhiku, ka deklaruar se nëse deri më 6 gusht nuk arrihet një marrëveshje, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë.
“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konstituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë, siç e thotë edhe Kushtetuta. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka vlerësuar takimin me Kurtin si të mbarë dhe ka bërë të ditur se LDK-ja është e gatshme që diskutimet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku ka theksuar se partia e tij ka hyrë në këto diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Takimi Kurti- Abdixhiku, u zhvillua pas një ndërprerje nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vazhduar pasi Abdixhiku i rezistoi mocionit për të vazhduar si kryetar i LDK-së.
Analisti Afrim Kasolli, thotë se Abdixhiku ia doli mocionit për shkak të pretendimit se ai do të angazhohet maksimalisht në shmangien e bllokadës së re institucionale.
Sipas tij, Abdixhiku akuzonte krahun e rebeluar brenda LDK-së për nismën “të nxitur nga jashtë” dhe nuk adresonte kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lumir Abdixhiku ia doli të mbijetojë në krye të LDK-së mbi pretendimin se ai ishte i angazhuar maksimalisht në shmangien e bllokadës së re institucionale dhe potencialisht të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Madje, edhe duke u ofruar strukturave të lodhura në opozitë të këtij subjekti politik mundësinë e katapultimit në pushtet. Për më shumë, gjatë kohës sa ishin pezulluar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të kontestimit të lidershipit të tij, ai e akuzonte krahun e rebeluar brenda LDK-së se me këtë nismë “të nxitur nga jashtë” ishte përgjegjës për thellimin e kësaj krize. Në asnjë moment gjatë kësaj kohe nuk kishte adresuar kritika të kësaj natyre ndaj Lëvizjes Vetëvendosje”, shprehet Kasolli për “Bota sot”.
Tutje, sipas tij, gjithçka u përmbys pas tri orëve negociatash.
“Po ashtu, edhe kjo e fundit e amplifikonte narracionin se mjafton rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së dhe çdo gjë do të shkonte për mrekulli.
Mirëpo, befas dje u përmbys çdo gjë dhe, pas tri orë negociatash, dy liderët dolën me premtimin se do t’i vazhdojnë këto biseda, pra edhe pas konstituimit të Kuvendit dhe mundësisht votimit të Qeverisë. Aktualisht, LDK nën drejtimin e Abdixhikut është pajtuar të veprojë plotësisht konform skenarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re janë përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, kurse zgjedhja e Presidentit të ri barrë e të gjitha partive të tjera politike. Ndërsa, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike për këtë temë, atëherë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme bëhen të pashmangshme”, thekson analisti.
Në fund, sipas tij, LDK duke shfajësuar veten është duke ia bërë më të lehtë partisë fituese në kërkimin e “fajtorëve kujdesarë”.
“Duke dashur ta shfajësojë veten se nuk është përgjegjëse për këtë skenar të mundshëm, LDK në këtë mënyrë jo vetëm që e ka introjektuar edhe më shumë këtë narracion të pushtetit, por edhe ia ka bërë më të lehtë këtij të fundit kërkimin e “fajtorëve kujdestarë””, përfundon Kasolli
