TË FUNDIT

Porosi online me paratë e norvegjezëve, arrestohet i dyshuari për mashtrim në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ndërsa ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, kur i dyshuari, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka vënë në lajthitje disa shtetas të Norvegjisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Sipas dyshimeve, pasi kishte siguruar të dhënat bankare të personave të dëmtuar, ai i kishte përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shesin pajisje elektronike.

Si pasojë e këtyre veprimeve, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, autoritetet kanë sekuestruar shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *