Tre persona nën hetime për tentim-vrasje në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një sulm të raportuar më 30 shtator në Vushtrri.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se një person është ndaluar dhe për të është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.
“Për tre persona ka aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’. Për këtë rast një person është i ndaluar, për të njëjtin kemi paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq dy personat tjerë të dyshuar për këtë rast janë në arrati”, ka bërë të ditur Preteni
Incidenti ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku”, afër “Urës së Hekurit” në Vushtrri.
I dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë dhe duke përdorur mjete të forta, dyshohet se kishte sulmuar një person, i cili për shkak të lëndimeve kishte kërkuar tretman mjekësor.
