MASH mbështet studentët me 30 euro, 50 dhe 70 – hap thirrjen publike për Bursë të Mobilitetit
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se ofron mbështetje financiare për studentët përmes bursës së mobilitetit.
Në njoftim thuhet se kjo mbështetje synon të lehtësojë shpenzimet e udhëtimit nga vendbanimi deri në institucionin e arsimit të lartë, varësisht nga distanca e vendbanimit me adresën e institucionit të arsimit të lartë.
Mbështetja do të shpërndahet në formë të pagesës mujore sipas kalendarit akademik, si në vijim:
– 30 euro për distancat deri në 20 kilometra;
– 50 euro për distancat nga 21 deri në 50 kilometra; si dhe
– 70 euro për distancat mbi 50 kilometra.
MASH njofton se të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e rregullt të nivelit Bachelor në institucionet publike dhe private të akredituara në Republikën e Kosovës, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në thirrje. Ftojmë studentët që t'i shqyrtojnë kushtet dhe kriteret dhe të aplikojnë.
Procesi i aplikimit do të realizohet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/707
Afati për aplikim është nga sot deri më 10 dhjetor. Përfituesit do t'i marrin mjetet financiare në baza tremujore, në llogaritë e tyre personale bankare.
Informatat për kriteret e aplikimit i gjeni në KËTU . /Telegrafi/
