TË FUNDIT

Rezultatet e referendumit publikohen të hënën, studentët nuk heqin dorë nga kërkesa për rritje të shujtës

Të hënën do të mësohet se cilin model të subvencionimit të shujtës studentore preferojnë studentët, pas përfundimit të referendumit studentor.

Trupi Nacional Studentor njofton se rezultatet do të publikohen menjëherë pas përfundimit të procesit dhe përgatitjes së dokumentacionit.

Kjo vjen pas paralajmërimit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, se sistemi i ri për subvencionimin e ushqimit për studentët do të zbatohet nga viti akademik 2027.

Megjithatë, nga Trupi Nacional Studentor kërkojnë që rritja e shujtës të mos shtyhet deri atëherë, por të zbatohet menjëherë, pavarësisht modelit që do të përzgjidhet.

“Deklarimi kombëtar do të zgjasë deri të dielën, në orën 23:59. Pas përfundimit të procesit dhe përgatitjes së dokumentacionit, menjëherë do t’i publikojmë rezultatet. Të hënën do të bëjmë të ditur se cilin model kanë përzgjedhur studentët, cila do të jetë shuma dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm. Pavarësisht nëse studentët do të votojnë për një model të ri, digjital apo për modelin ekzistues, qëndrimi ynë mbetet se shujta studentore duhet të rritet menjëherë, pasi nuk është rritur prej tre vitesh”, tha Angella Vasilevska nga Trupi Nacional Studentor.

Studentët e pranojnë propozimin për rritjen e shumës nga 3.500 në 4.500 denarë, por kundërshtojnë që kjo rritje të hyjë në fuqi nga 1 tetori i vitit 2027. Sipas tyre, një shtyrje e tillë rrezikon që shuma e propozuar të mos i përgjigjet më kostos së jetesës dhe nevojave të studentëve në momentin e zbatimit.

“Studentët studiojnë tani dhe kanë nevojë për ushqim tani. Me 140 denarë sot nuk mund të blihet pothuajse asgjë. Nuk mund të pritet deri në vitin 2027, sepse deri atëherë inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës do ta bëjnë të pamjaftueshme edhe shumën prej 4.500 denarësh. Studentët kërkojnë që të respektohen të drejtat e tyre dhe të zbatohen ligjet”, tha Angella Vasilevska nga Trupi Nacional Studentor.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse institucionet do të marrin parasysh kërkesën e studentëve për rritjen e menjëhershme të shujtës, pa pritur zbatimin e sistemit të ri në vitin akademik 2027-2028./Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *