Tre ditë nga grabitja e arit në Kumanovë: Si lëvizën autorët e maskuar dhe ku dyshohet se janë arratisur
Edhe pas tre ditësh nga grabitja e organizuar në një argjendari në Kumanovë, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka dalë me detaje zyrtare mbi identitetin e autorëve apo personave të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë rast, përcjell INA.
Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, kur katër persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe kanë grabitur një sasi të konsiderueshme ari. Grabitja është kryer në orën 12:24, në kohën kur pronari i dyqanit ishte në xhami për faljen e namazit të xhumasë, por edhe edhe pronarët e dyqaneve të tjera në rrugën ku gjendet edhe Myftinia e Kumanovës.
Hetimet e deritanishme, të cilat po zhvillohen në disa pista, kanë arritur të rindërtojnë itinerarin e lëvizjes së grupit. Sasia e arit të grabitësve vlerësohet të jetë qindra mijëra euro, por ende nuk ka ndonjë shifër konkrete zyrtare.
Mësohet se grabitësit kanë vepruar me dy automjete: një furgon të bardhë të tipit “Iveco” me targa doganore të Gjermanisë dhe një veturë “Audi” me ngjyrë të kaltër, me targa të Kosovës (06) të rajonit të Gjilanit.
Sipas të dhënave nga pista e hetimit, automjetet kanë ardhur nga drejtimi i Shkupit, duke përshkuar rrugën e vjetër përmes Haraçinës, ndërsa pas kryerjes së grabitjes janë larguar sërish në të njëjtin drejtim. Pikërisht kjo lëvizje, si dhe përdorimi i targave të rajonit të Gjilanit, ngrenë dyshime se autorët mund të kenë shfrytëzuar rrugët dytësore drejt Shkupit ose të jenë drejtuar drejt kufirit me Kosovën për t’i humbur gjurmët.
Në vendin e ngjarjes kanë kryer hetime ekipet e policisë dhe Prokuroria Publike, ndërsa vlera e saktë e dëmit material mbetet ende e pacaktuar në pritje të vlerësimit përfundimtar që do të bëhet në prani të pronarit të artarisë.(INA)
