Kush po përmendet si kryeministër i ardhshëm i Serbisë
Dejan Shoshkiç është emri që përmendet më së shpeshti si kandidat i mundshëm për kryeministër. Ai është profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit dhe ish-guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë.
Analisti Gjorgje Vukadinoviç e konsideron Shoshkiçin kandidatin më serioz për këtë post, ndërsa Radomir Saiçiç përmendet si kandidat i mundshëm për president.
Megjithatë, Shoshkiç ka qenë i kujdesshëm në deklaratat e tij, duke thënë se në këtë moment nuk mund të konfirmojë nëse do të bëhet kryeministër. Ai e ka cilësuar këtë mundësi si hipotetike.
Një tjetër emër që po përmendet është Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad. Ai ishte i pari në listën zgjedhore të Listës Studentore dhe u bë pjesë e politikës aktive gjatë protestave studentore. Srdanoviç ka deklaruar më herët se do të ishte i gatshëm të pranonte një kandidaturë të mundshme, nëse vlerësohet se është zgjedhja më e mirë për interesin e qytetarëve.
Në mesin e emrave të përmendur është edhe Ivanka Popoviç, ish-rektore e Universitetit të Beogradit dhe profesoreshë në pension e Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë. Ajo ka deklaruar se deri më tani askush nuk ka biseduar me të për ndonjë funksion.
Ndërkohë, Jovo Bakiç, i cili më herët kishte shprehur dëshirën për t’u bërë ministër i Brendshëm, është zgjedhur shef i grupit parlamentar të Listës Studentore. Përbërja e qeverisë së re dhe emrat e ministrave do të jenë vendimtare për drejtimin politik që do të marrë Serbia në periudhën e ardhshme. Për momentin, emrat e përmendur mbeten kandidatura të mundshme dhe jo vendime zyrtare.
