POLITIKATË FUNDIT

Tranzicioni i KFOR-it në Urën e Ibrit, Aliçkaj me mesazh të fortë për Beogradin: Merita kryesore i takon Kurtit dhe Policisë së Kosovës

KFOR-i ka njoftuar për tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka nisur marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në urën kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa përgjegjësi të reja po i kalojnë asaj edhe në zonën përreth Manastirit të Deçanit.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sigurisë në territorin e vendit, por edhe si një sinjal politik për Beogradin dhe faktorët që kundërshtojnë forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptar në SHBA, Agim Aliçkaj, i cili e ka cilësuar njoftimin e KFOR-it si një lajm shumë të mirë për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, ky zhvillim dëshmon se institucionet e Kosovës vazhdojnë të funksionojnë dhe të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi në fushën e sigurisë.

ImageAgim AliçkajFoto galeri
“Njoftimi i KFOR-it për tranzicionin gradual të mbikëqyrjes së Urës kryesore të Ibrit dhe integrimi gradual i Policisë së Kosovës në sigurimin e Manastirit të Deçanit janë lajme shumë të mira për shtetin e Kosovës. Kjo tregon se, edhe përkundër problemeve në krijimin e institucioneve, të shkaktuara kryesisht nga bllokadat e humbësve të zgjedhjeve, shteti vazhdon të funksionojë. Në raste të tilla dalin shumë zëra që tentojnë ta përvetësojnë këtë arritje të madhe, sepse nuk thuhet kot: ‘Suksesi ka shumë baballarë, por dështimi është jetim.’ Megjithatë, merita kryesore i takon Kryeministrit Kurti dhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Aliçkaj.

Ai u ndal edhe te simbolika e Urës së Ibrit, duke e cilësuar atë si një pikë të rëndësishme për bashkimin e Mitrovicës dhe integrimin e veriut të Kosovës në funksionimin e shtetit.

“Urat bashkojnë njerëzit. Ura e Ibrit është simbol i bashkimit të Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës, si dhe i funksionimit të Kosovës si një shtet i fortë dhe unik në tërë territorin e njohur ndërkombëtarisht. Pas rrezikut të një konfrontimi me KFOR-in për Urën kryesore mbi Ibër, Qeveria e Kosovës bëri një tërheqje strategjike. Mori një vendim të matur dhe shumë të mençur për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër. Projekti u realizua në mënyrë të shpejtë dhe profesionale”, u shpreh ai.

Sipas Aliçkajt, ndërtimi i urave të reja ka ndikuar në ndryshimin e rëndësisë së urës kryesore të Ibrit, ndërsa funksionimi i tyre ka dëshmuar se lëvizja dhe lidhja mes pjesëve të Mitrovicës mund të bëhet në mënyrë normale dhe pa paraqitur rrezik për komunitetet që jetojnë në veri.

“Urat e reja ia humbën rëndësinë urës së kontrolluar nga KFOR-i. Njëkohësisht, treguan se funksionimi i tyre është normal dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku për popullin e Veriut të Kosovës, përfshirë edhe minoritetin serb. Përkundrazi, është në interes të të gjithëve, sepse ua lehtëson jetën të gjithëve, pavarësisht nga nacionaliteti. Policia e Kosovës po tregon çdo ditë e më shumë se është shumë e organizuar, profesionale dhe e aftë për ta garantuar sigurinë e popullit të Kosovës. Kjo ia lehtëson shumë punën KFOR-it dhe i mundëson zvogëlimin e trupave të angazhuara për sigurinë e brendshme dhe orientimin e tyre në mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës”, deklaroi Aliçkaj.

Duke folur për Manastirin e Deçanit, ai vlerësoi se marrja graduale e përgjegjësive nga Policia e Kosovës tregon për rritjen e besimit ndërkombëtar në institucionet e vendit dhe në aftësinë e tyre për të garantuar sigurinë e objekteve me rëndësi kulturore.

“Manastirin e Deçanit, historikisht, gjithmonë e kanë ruajtur dhe mbrojtur shqiptarët, sepse është vlerë kombëtare, pavarësisht se është përvetësuar me forcë dhe në mënyrë ilegale nga Kisha Ortodokse Serbe. Policia e Kosovës e ka fituar besimin ndërkombëtar se është në gjendje t’i mbrojë vlerat kulturore të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, Aliçkaj foli edhe për reagimet e Listës Serbe ndaj vendimeve të KFOR-it, duke thënë se ato, sipas tij, tregojnë kundërshtimin ndaj forcimit të institucioneve të Kosovës. Ai e cilësoi zhvillimin si një mesazh të qartë për Beogradin.

“Reagimi i Listës Serbe kundër vendimeve të KFOR-it ishte i pritur. Ajo po e vërteton çdo ditë se është organizatë armiqësore, e kontrolluar dhe e instaluar nga regjimi serb për shkatërrimin e Kosovës. Mesazhi për Beogradin është i qartë: ëndrrat e tyre për ripushtimin e Kosovës janë të parealizueshme. Sa më parë që minoriteti serb të shkëputet nga Lista Serbe dhe Serbia, duke e pranuar dhe duke i shërbyer shtetit të Kosovës, aq më mirë për të”, u shpreh Aliçkaj.

Ky zhvillim pritet të jetë pjesë edhe e debatit të brendshëm politik, veçanërisht në raport me opozitën dhe mënyrën se si trajtohen arritjet e institucioneve të Kosovës. Aliçkaj konsideron se përplasjet politike nuk duhet të bëhen në dëm të funksionimit të shtetit.

“Opozita e Kosovës vazhdon me bojkotimin e shtetit, injorimin dhe mohimin e kësaj dhe të çdo arritjeje tjetër të Kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij. Ai i fitoi votat e popullit për qeverisje edhe për të tretën herë. Në vend që ta zbatojnë vullnetin e popullit, ta lejojnë qeverisjen normale dhe ta votojnë presidentin jopartiak konsensual, ata vazhdojnë me të njëjtat veprime destruktive, të cilat populli i kupton dhe i ndëshkon. Sa më parë që krerët e opozitës të shkëputen nga Rama, Grenelli, oligarkët dhe shtypi i shitur tek armiqtë e Kosovës, aq më mirë për ta dhe për Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.

Në fund, Aliçkaj theksoi se zhvillimet në fushën e sigurisë duhet të shihen mbi interesat partiake dhe si pjesë e forcimit të shtetit të Kosovës.

“Nuk mund të merren votat e popullit pa kurrfarë programi pozitiv dhe real për qeverisje. Nuk bën të dëmtohet shteti me shpresën se dobësohet kundërshtari politik. Pa shtet nuk ka parti politike”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *