TË FUNDIT

Toshkovski pranon mangësitë në sistemin e regjistrimit të ngjarjeve kriminale

Nëse një grua nuk mund të ndihet më e sigurt në shtëpinë e saj, nëse fëmijët nuk mund të ndihen më të sigurt në shtëpinë e tyre, atëherë ku do të ndihen më të sigurt?! Si shoqëri, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që gratë dhe fëmijët të ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se ndryshimet sistemike do të japin rezultate “por jo brenda natës”.

Në një deklaratë për mediat pas takimit të parë të Komitetit kombëtar për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, ministri tha se ngjarjet kriminale deri më tani janë regjistruar në një fletore shënimesh, por se po punohet për digjitalizimin.

“Kur mora për herë të parë detyrën time në ministrinë e Brendshme dhe në kuadër të qeverisë teknike, arrita në përfundimin se për fat të keq, Maqedonia ende po punon në një sistem fletore shënimesh në kuadër të regjistrimit të ngjarjeve kriminale. Pavarësisht se sa qesharake mund t’u duket disave për fat të keq është kështu. Ne punojmë për digjitalizimin çdo ditë dhe kjo është shumë e rëndësishme ta bëjmë si Ministri e Punëve të Brendshme. Është puna jonë. Ka qenë puna jonë për 35 vitet e fundit, por nuk e kemi bërë. Suedia, për shembull e bëri rreth 30 vjet më parë. Ne po e bëjmë sot. A do të kishte qenë më mirë ta bënim vitin e kaluar? Do të kishte qenë. A do të kishte qenë më mirë ta bënim 30 vjet më parë, njësoj si Suedia? Mendoj – po. Por sigurisht që është më mirë ta bëjmë në fillim të vitit 2027, në vend të vitit 2048. Qasja jonë është sistematike dhe do të ketë rezultate, por do të duhet kohë, mendoj se kemi treguar se mund ta zbatojmë një projekt si ‘Qyteti i sigurt’ në një periudhë shumë të shkurtër kohore, gjë që do t’u japë atyre një ndjenjë shprese se gjërat mund të jenë më mirë”, ka thënë Toshkovski.

Krahasuar me vendet më të zhvilluara demokratike evropiane, ndoshta nuk reagojmë profesionalisht sa mundet, thotë ai, por thekson se institucionet i kushtojnë vëmendje maksimale kësaj teme dhe se reagojnë me përkushtim maksimal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *